2015-11-07 18:24:00

Shenjtorët javës 8 -15 nëntor


E diel 8 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 32-të gjatë vitit kishtare, e po më 6 nëntor, kalendari përkujton shën Gofredin, shën Adeodatin I papë si dhe shenjtorët e Martirët, reliket e të cilëve pushojnë në paqe në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan. Liturgjia e kësaj të diele na paraqet dy vejusha për të na folur për mikpritje (Libri I i Mbretërve) e për bujari të përvujtë (Ungjilli).

Të hënën më 9 nëntor, Kisha kremton festën e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit në Romë. Liturgjia na kujton se ky tempull është katedralja e ipeshkvit të Romës dhe Kisha nënë e të gjitha Kishave romake e, sidomos, se tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut janë në shërbim të gurëve të gjallë, dmth të Kishës që secili nga ne është i thirrur ta ndërtojë në zemër të vet, së bashku me të gjithë vëllezërit. 

Të martën më 10 nëntor,  kalendari Kishtar përkujton shën Leonin e madh, papë e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se po të ecim sipas shembullit të atyre që e morën seriozisht mesazhin ungjillor, duke flijuar jetën për të gjithë, mund të shpëtojmë nga çdo lloj skllavërie e të drejtohemi nga të mirat e amshuara, që na janë premtuar.

Të mërkurën më 11 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Martinin, ipeshkëv i Turit e shën Bartolomeun, abat i Grotaferratës. Liturgjia e kësaj dite na kujton se kush jeton për Zotin, dhuron gjithnjë me duar plot e nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.

Të enjten më 12 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Jozafatin, ipeshkëv e martir e shën Diegon, laik françeskan. Liturgjia e ditës na kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.

Të premten më 13 nëntor, kalendari kishtar kujton shën Nikollën I papë e shën Agostina Pietrantonin, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi i jep tri porosi atij që dëshiron ta ndjekë: të mos largohet kurrë nga Zoti, të falë e të lypë dhantinë e fesë. Besnikëria ndaj këtyre tri porosive sjell fryte që nuk mund të përfytyrohen.

Të shtunën më 15 nëntor, kalendari përkujton shën Serapionin, ipeshkëv i Aleksandrisë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi na mëson të kënaqemi sepse jemi me Të e jo sepse bëjmë ndonjë gjë. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.

Të dielën e ardhshme me 15 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 33-të gjatë vitit Kishtar, e po më 15 nëntor, kalendari  përkujton edhe Shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor të kishës dhe Shën Jozef Pinjatelin, meshtar jezuit. Figurat e tyre na kujtojnë se Jezusi shëroi shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta falënderojë atë, që ka forcë të shërojë sëmundjet e korpit e të shpirtit. I krishteri i vërtetë duhet ta pranojë çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.