2015-11-07 17:56:00

Papa Inps-it: pensioni është e drejtë, puna e zezë, e turpshme


 Pensioni është e drejtë, që duhet mbrojtur gjithnjë. Këtë pohoi Papa Françesku në fjalimin, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e drejtuesve dhe nëpunësve të Inps, Instituti Italian i Sigurimeve Shoqërore. Papa kritikoi përsëri modelin ekonomik dhe mekanizmin e tij, që i bluan pasuritë, për të arritur fitime gjithnjë më të mëdha, në dëm të dinjitetit të njerëzve.

T’i mbrosh punëtorët dhe pushimin e tyre, të kujdesesh për amësinë dhe punën femërore, të mos mungojë kurrë e drejta e pensionit. Kështu i përmblodhi Papa përparësitë, që duhet ta udhëheqin Inps-in, e menjëherë pas, theksoi se pushim nuk do të thotë thjesht të mos merresh me punën dhe angazhimin e përditshëm. Pushimi është rast për ta jetuar plotësisht jetën njerëzore, për t’u takuar me Zotin e me të tjerët.

Puna e zezë është turp, duhen garantuar kërkesat e sigurimeve shoqërore

E këtu, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa theksoi se puna e zezë është turp, ashtu si është turp edhe mungesa e punës. Turp e padrejtësi shoqërore, që mohon të drejtën për të fituar jetesën e edhe pushimin, i cili shpesh diskutohet e shkurtohet aq, sa ta humbasë fare kuptimin e pushimit të vërtetë. Ashtu si humbet e drejta e sigurimit shëndetësor, sapo ta kesh ndërprerë punën.

Të mos mungojë kurrë e drejta e pensionit

Papa i kërkoi Inps-it të mos mungojë kurrë ndihma e nevojshme për jetesën e punëtorëve të papunë e të familjeve të tyre. Në vijim theksoi një sërë përparësish, ndërmjet të cilave, puna e grave dhe asistenca e amësisë, që duhet ta mbrojë gjithnjë jetën që lind e atë, që i shërben çdo ditë:

“Të mos mungojë kurrë siguria për pleqërinë, sëmundjen, fatkeqësitë e lidhura me punën. Të mos mungojë e drejta e pensionit, sepse, nënvizoi Papa, pensioni është e drejtë. Të jeni të vetëdijshëm për dinjitetin e lartë të çdo punëtori, të cilit i shërben veprimtaria juaj”.

Papa i thotë ‘jo’ ekonomisë, që mendon për fitime sa më të mëdha, i porosit punonjësit e Inps-it të punojnë për kë punon, duke mos e harruar kurrë Njeriun.

Puna, theksoi, nuk mund të jetë ingranazh i mekanizmit të mbrapshtë, që i bluan pasuritë, për të pasur sa më shumë fitime; nuk mund të zgjatet ose të katandiset në funksion të fitimit të pak njerëzve e të formave prodhuese, që flijojnë vlerat, marëdhëniet, parimet. Kjo vlen për ekonominë në përgjithësi,  e cila nuk mund të përdorë më ilaçe, që janë helm i ri, si atëhere kur pretendon t’i shtojë të ardhurat, duke reduktuar tregun e punës e duke krijuar, në këtë mënyrë, të përjashtuar të rinj.

Punoni për kë punon, mos e harroni njeriun!

Papa Françesku pohoi se pushimi i vërtetë vjen pikërisht nga puna. Pushon, ai që punon. Prej këndej, njeriu mund të pushojë vetëm kur e di mirë se ka një punë të sigurt. Mund të punosh e edhe të pushosh, kur je i sigurt se në pleqëri do të kesh një pension, që është e drejta jote.

“Mos e harroni njeriun”: ky është urdhër! Ta doni njeriun e t’i shërbeni me ndërgjegje, përgjegjësi, gatishmëri. Punoni për atë, që punon e jo më pak, për atë që do të punojë, por nuk mundet. Bëjeni jo thjesht si vepër solidariteti, por si detyrë drejtësie e ndihme. Duhen ndihmuar më të ligshtit, që askujt të mos i mungojë dinjiteti dhe liria për të jetuar një jetë vërtet njerëzore”. Ky, mendimi i Papës në mbrojtje të njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.