2015-11-05 16:10:00

Veprimi Katolik Italian: “Me dashuri pranë Papës Françesku”


Notë e Presidencës kombëtare të Veprimit Katolik Italian, që i shpreh Papës afërsinë për aktet e rënda të pabesisë, në dëm të Kishës dhe të personit të Tij.

Presdienca Kombëtare e Veprimit Katolik Italian i shpreh, me forcë e publikisht, Atit të Shenjtë, ndjenjat më të thella të dashurisë, të afërsisë bijnore e të solidaritetit, për aktet e rënda të pabesisë që po kryhen në dëm të Kishës, të personit të Tij e të mirënjohjes për veprimtarinë e tij të vazhdueshme të reformimit e të pastrimit të Kishës.

Është ky një çast, në të cilin na duket e drejtë  që mbarë Populli i Zotit, laikë, të kushtuar, meshtarë e barinj, ta shprehin me zë të lartë e pa asnjë ngurrim, besnikërinë dhe besimin në shërbesën e Pjetrit e pasardhësit të Tij.

Ati i Shenjtë Bergoglio e jeton vetë dhe i tregon secilit nga ne një stil e një mënyrë veprimi, që nuk mund të mos i duken të papëlqyeshme atyre, të cilët mendojnë e veprojnë me logjikën e pushtetit e me metodat mjerane të luftës; atyre, që synojnë afirmimin personal dhe kërkimin e privilegjeve. Françesku po i prin mbarë Kishës me shpirt të sinqertë shërbimi e me stil sinodal, që u mësuam ta njohim, në udhën e vërtetë të shndërrimit misionar, të hapjes së guximshme të rrugëve për burrat gratë e sotme, të përtëritjes së fuqishme baritore, me besnikëri ndaj Krishtit dhe bukurisë njerëzore. Në këtë udhë ka pranë Popullin e Zotit: edhe kush nuk e kupton, do të ishte mirë të rrijë larg helmeve, dredhive e ligësive, që megjithatë, e pa asnjë dyshim, nuk do të mund ta ndalojnë udhën e nisur.

Kisha e njerëzve të thjeshtë, e të varfërve, e familjeve, ecën me “qetësi e vendosmëri” së bashku me Françeskun e nuk mund të mos e konsiderojë të rëndë e të papranueshëm çdo lloj akti, që përpiqet ta minojë bashkimin e saj e t’ia ngadalësojë hapin, ta mbulojë me errësirë, në vend të dritës, përpjekjen e saj të jashtëzakonshme, për t’u bërë shoqe udhe e njerëzimit të mijëvjeçarit të tretë.

                                                                                                                                                                                       Romë, 5 nëntor 2015

Zyra e Shtypit - Veprimi Katolik Italian

 








All the contents on this site are copyrighted ©.