2015-11-05 11:48:00

Më 5 nëntor kalendari kujton Shën Domnninin, martir në Çezare të Palestinës.


Për Shenjtin që përkujtohet sot nga Kisha katolike,Shën Domninin, kemi njoftime tepër të pakta, që mund të përmblidhen në fjalët: “Derdhi gjakun për Krishtin në Çezare të Palestinës”.

Disa studiues besojnë se Shën Domnini u martirizua nën perandorin Maksimian, së bashku me Teotimin, Filoteun e Silvanin. Të tjerë përpiqen të vërtetojnë shkencërisht se Shenjti e pësoi martirizimin nën perandorin Dioklecian (shek IV).    

Çka dimë me siguri, është se Euzebi i Çezaresë, historian i martirizimit të të krishterëve të parë, e kujton si një nga martirët më të njohur të Palestinës. Sipas këtij burimi të sigurt, Domnini ishte një djalosh i krishterë tepër i ditur. Madje historiani i bashkësive të para të krishtera shpreh mendimin se mund të ketë qenë mjek i cili, në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit, e shkriu jetën e tij të shkurtër, duke shëruar sëmundjet e korpit e të shpirtit.

Po sot përkujtohen edhe shenjtorët Teotimi, Filoteu e Timoteu, martirë, që u mbyten gjatë lojërave të cirkut, organizuar për dëfrimin e popullit, si dhe Shën Ausencin i cili, në moshë të shtyrë, u hodh në arenë mes bishave të egra, që e copëtuan.








All the contents on this site are copyrighted ©.