2015-11-04 18:08:00

Atë Lombardi: Vatikani vijon pa asnjë paqartësi udhën e administrimit të mirë


Vatikani po ecën përpara pa asnjë paqartësi në udhën e transparencës e të administrimit të mirë: këtë pohon atë Federico Lombardi, si përgjigje për botimin e dy librave që, duke shfrytëzuar dokumentet e rezervuara, do të dëshironin të dëshmonin të kundërtën. Po botojmë, në vijim, disa reflektime të atë Lombardit, pasuar nga një përgjigje që u dha gazetarëve lidhur me hetimet, në vijim, në Vatikan.

Botimi i librave, rezultat i veprimtarisë së paligjshme

Botimi i dy librave, që kanë për argument institucionet dhe veprimtaritë ekonomike-financiare vatikanase, është objekt kurioziteti e komentesh të përhapura gjerësisht. Po bëjmë disa vërejtje. Siç dihet, një pjesë e mirë e materialit të botuar, është rezultat i përhapjes së lajmeve e dokumenteve të rezervuara e, prej këndej, veprimtari e paligjshme, që ndiqet penalisht me vendimin e autoriteteve kompetente vatikanase. Por tani nuk dëshirojmë të flasim për këtë, duke pasur parasysh se është objekt i një vëmendjeje të madhe.

Një pjesë e mirë, informacione tashmë të njohura

Çka na intereson tani, është të reflektojmë mbi përmbajtjen e botimeve. Mund të thuhet se një pjesë e mirë janë informacione të njohura prej kohe, ndonëse shpesh të thëna më shkurtimisht e më me pak hollësira. Por, sidomos, duhet vërejtur se dokumentacioni i botuar lidhet me angazhimin  e njohur të mbledhjes së të dhënave e informacioneve, realizuar me dëshirën e vetë Papës, për të kryer një studim e një reflektim për reformën dhe përmirësimin e gjendjes administrative të Vatikanit e të Selisë së Shenjtë.

Shumica e informacioneve, nga arkivi i COSEA

COSEA është shkurtim i emrit të Komisionit referues për Studime e drejtim mbi organizatën e Strukturave Ekonomiko-Administrative të Selisë së Shenjtë, themeluar nga Papa më 18 korrik të vitit 2013 për këtë qëllim e, më pas, shkrirë për përfundimin e mandatit. Nuk bëhet, pra, fjalë, për informacione të shtëna në dorë, me origjinë kundër vullnetit të Papës ose të drejtuesve të institucioneve të ndryshme, por përgjithësisht, për dokumente të shfrytëzuara ose të furnizuara në bashkëpunim me të njëjtat institucione, për të arritur një qëllim pozitiv të përbashkët.

Lexime të ndryshme të të njëjtave të dhëna

Natyrisht, një pjesë e madhe e informacioneve të kësaj natyre duhet studiuar, duhet kuptuar e duhet interpretuar me kujdes, ekuilibër e vëmendje. Shpesh të njëjtat të dhëna mund të lexohen në mënyra krejt të ndryshme.

Rasti i Fondit të Pensioneve: nga vrima - tek leximi sigurues

Një shembull është ai i situatës së Fondit të pensioneve, lidhur me të cilin   shprehen vlerësime krejt të ndryshme, duke nisur nga ato, që flasin për shqetësimin e një “vrime” të madhe, tek ato që, përkundrazi, krijojnë një frymë sigurie të plotë (siç e tregojnë Komunikatat zyrtare, botuar me autoritet përmes Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë).

Origjina e pasurive të Kishës

Afërmendsh është, pastaj, çështja lidhur me qëllimet dhe përdorimin e  pasurive, që i përkasin Selisë së Shenjtë. Pasuri të cilat, marrë së bashku, paraqiten si shumë të mëdha, e që, në të vërtetë, janë të caktuara për të mbështetur në kohë veprimtaritë e panumërta të shërbimit që kryen Selia e Shenjtë ose institucionet e lidhura me të, si në Romë, ashtu edhe në vise të ndryshme të botës. Origjina e pronave dhe e pasurive është e ndryshme  e duhet kujtuar se prej kohe janë në dispozicion edhe mjetet e përshtatshme për të njohur historinë dhe zhvillimin e tyre (për shembull, është e mira të merret informacion mbi marrëveshjet ekonomike ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë në kontekstin e Pakteve Lateranense dhe mbi veprimtarinë për krijimin e bazave të një administrimi të frytshëm, zhvilluar nga Piu XI, me ndihmën e specialistëve dhe bashkëpunëtorëve shumë të mirë, veprimtari e njohur botërisht si e urtë e largpamëse edhe në aspektet e investimeve  jashtë, e jo vetëm brenda Romës e Italisë).

Obolo apo Lëmosha e Shën Pjetrit

Përsa i takon Obolo-s apo Lëmoshës së Shën Pjetrit, është e nevojshme të  sqarohet se përdoret në mënyra nga më të ndryshmet, edhe sipas situatave dhe gjykimit të Atit të Shenjtë, të cilit besimtarët ia japin plot besim lëmoshën, për të mbështetur shërbesën e tij papnore. Veprat e bamirësisë së Papës për të varfërit, janë, pa dyshim, një nga qëllimet kryesore, por besimtarët nuk kanë ndjet ta përjashtojnë faktin që Papa të mund t’i vlerësojë vetë urgjencat dhe mënyrën si duhet t’u përgjigjet nevojave të tyre, në dritën e shërbimit të tij për të mirën e Kishës universale. Shërbimi i Papës përfshin edhe atë të Kuries Romake, si mjet për këtë shërbim të tij – si dhe nismat e tij jashtë dioqezës së Romës, komunikimin e shërbesës së tij për besimtarët në një mori vendesh të botës, edhe të varfëra e të largëta, mbështetjen e 180 përfaqësive diplomatike papnore në vende të ndryshme të botës, që u shërbejnë Kishave vendase dhe që ndërhyjnë si veprimtarë  kryesorë për të shpërndarë bamirësinë e Papës në vende të ndryshme, përveçse si përfaqësues të Papës pranë qeverive vendase. Historia e Obolo-s e tregon me qartësi të plotë gjithë këtë veprimtari.

Të dallohet e shumta, krejt e përligjur, nga paligjshmëritë për t’u zhdukur

Me kalimin e kohës, këto tematika rikthehen periodikisht, por janë gjithnjë objekt kurioziteti e polemikash. Duhet pasur seriozitet për t’u thelluar në situata e probleme të veçanta, në mënyrë që të jesh në gjendje të njohësh të shumtën (shumë më tepër nga ajo, që përgjithësisht nuk thuhet, e që nuk thuhet sistematikisht pikërisht nga lloji i publikimeve, për të cilat po flasim), e cila është plotësisht e përligjur, normale dhe e miradministruar (duke përfshirë edhe taksat e duhura) e të dallosh ku janë gabimet që duhen korrigjuar, errësira që duhet ndriçuar, mungesat, pakorrektësitë e paligjshmëritë, që duhen zhdukur.

Punë e ndërlikuar, gjithnjë në vijim

Pikërisht në shërbim të kësaj është puna e lodhshme dhe e ndërlikuar e nisur nga Papa me themelimin e COSEA, që e kreu në kohë punën e vet, e me vendimet e nismat, që vijojnë të zhvillohen e të vihen në jetë (e që, së paku pjesërisht, u ndoqën pikërisht sipas porosive të vetë COSEA-s, në përfundim të punës së saj). Riorganizimi i dikasterve ekonomike,  emërimi i Revizorit të përgjithshëm, funksionimi i rregullt i institucioneve kompetente për kontrollin e veprimtarisë ekonomike e financiare etj. etj., janë një realitet objektiv  dhe i pamohueshëm.

Informacion lidhur me një punë tashmë të tejkaluar

Një botim, që përhap një mori informacionesh të ndryshme, shumica të lidhura me një punë tashmë të tejkaluar, pa nevojën e thellimit të mëtejshëm ose të vlerësimit objektiv, çon ndërkaq në një rezultat, që të krijon përshtypje të kundërt, atë të një konfuzioni të vazhdueshëm, të mungesës së transparencës, për të mos thënë, të ndjekjes së interesave të veçanta e jo korrekte.

Udha e administrimit të mirë vijon pa asnjë paqartësi

Natyrisht e gjithë kjo nuk e pakëson fare guximin dhe impenjimin, me të cilin Papa dhe bashkëpunëtorët e tij e përballuan dhe vijojnë ta përballojnë sfidën e përmirësimit lidhur me përdorimin e pasurive të Kishës, në shërbim të pasurive shpirtërore. E është pikërisht kjo që duhej vlerësuar dhe inkurajuar nga një punë korrekte informative, për t’iu përgjigjur si duhet pritjeve të publikut dhe kërkesave të vetë së vërtetës. Rruga e administrimit të mirë, e korrektësisë dhe e transparencës vijon e ecën pa kurrnjë paqartësi. E kjo është, natyrisht, dëshira e Papës Françesku e nuk mungojnë në Vatikan as njerëzit, që bashkëpunojnë me ndershmëri e me të gjitha forcat!

Përgjigje e atë Lombardit pyetjeve të gazetarëve lidhur me hetimet, në vijim, në Vatikan

Zyra e Promotorit të Drejtësisë pranë Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, në vijim të një raporti të Autoriteteve të Informacionit Financiar, në muajin shkurt 2015, nisi hetimet që kanë të bëjnë me operacionet e shitblerjes së titujve e transaksioneve lidhur me zotin Gianpietro Nattino. E njëjta zyrë kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve gjyqësore italiane dhe zvicerane përmes letrave të porositura, të dërguara me rrugë diplomatike, më 7 gusht 2015.








All the contents on this site are copyrighted ©.