2015-11-03 12:23:00

Papa dhe Porta Shenjte e Bangui: shpresa e Kishës


Shqetësimi Papës për trazirat e ditëve të fundit në zona të ndryshme të kryeqytetit  të Afrikës Qendrore, por sidomos, dëshira për ta hapur, më 29 nëntor “Portën Shenjte” në katedralen e Bangui, shprehur në lutjen e Engjëllit të Tënzot, u pritën me gëzim e shpresë në vendin, që do të vizitojë Papa gjatë shtegtimit të tij të afërt në Afrikë. Për më shumë, intervistuam nuncin apostolik në Republikën Qendrafrikane, imzot Franco Copola:

Përgjigje: - Ditë shumë të vështira për kryeqytetin. Trazirat janë kufizuar në dy-tri lagje të tij, nuk janë përhapur në mbarë vendin, e as në gjithë qytetin, por kjo nuk i përjashton dëmet e shumta që po bëhen, gjë që i ka shtyrë mijëra familje të braktisin shtëpitë e tyre. Njerëzit ikin e milicitë djegin, pjekin e plaçkisin shtëpitë e shkretuara. E kjo shkakton vuajtje të rënda në gjirin e popullsisë së qetë civile, që nuk ka të bëjë fare me konfliktin në vijim.

Pyetje: - Prej këndej, edhe shqetësimi i Papës që, megjithatë, shpreson të vijë atje e të hapë Portën Shenjte….

Përgjigje: - Natyrisht. Besoj se shqetësimi i Papës ishte të shprehë kryesisht solidaritetin e, njëkohësisht, shqetësimin për familjet, që po katandisen në këto kushte, shpesh edhe me rrezik jete. Kështu i bëri jehonë e u bë ai vetë zë i këtyre njerëzve pa zë, e përsëris, i mijëra njerëzve, që ndodhen krejt të pambrojtur në mëshirën e një dhune krejt pa mëshirë. Njëkohësisht deshi të arrijë tek ne inkurajimi për famullinë e Zojës së Fatimës, që ka mbetur si ishull: mbrohet nga forcat e helmetkaltërve, e vetëm aty kanë mbetur tre meshtarë, një seminarist e disa qindra, rreth 700, të shpërngulur, që strehohen në lokalet e famullisë. Gjithçka përreth është krejt e shkretë: në lagje sillen bandat që djegin e plaçkisin. Prej këndej, Papa deshi t’i inkurajonte këta njerëz, që kanë mbetur në famulli, deshi ta ndjenin afërsinë e tij, e, njëkohësisht, t’u kumtonte ngjarjen e jashtëzakonshme, faktin se dëshiron t’u japë qendrafrikanëve një mundësi. Është gati-gati mision i veçantë, ky i hapjes së Jubileut të Mëshirës, që i bën këta njerëz dëshmitarë të kësaj mëshire e të këtij pajtimi, posaçërisht ndërmjet tyre. Ishte një e papritur e bukur, një dhuratë e posaçme që kryeipeshkvi e mbarë Kisha e këtushme e priti me gëzim të madh. Është edhe privilegj i madh, që Papa vendosi t’ia bëjë Kishës qendrafrikane këtë dhuratë.

Pyetje: - Pa dyshim që është dhuratë, e edhe përgjegjësi, pastaj, ta mbash të hapur këtë Portë…

Përgjigje: - Natyrisht, natyrisht! Në të vërtetë pikërisht për këtë, menjëherë pas ceremonisë së hapjes dhe Meshës, që do të pasojë, po  organizohet një mbrëmësore pendestare, që shërben për t’i bërë të hyjnë të gjithë banorët e Bangui, të gjithë ata, që do të vijnë për vizitë, me shpirt pendestar, me ndjet për të bërë kthesë, për të hyrë nëpër Portën Shenjte, për të fituar ndjesën e jubileut, por, sidomos, për të fituar hirin e shpirtit të pajtimit e shpirtin e mëshirës, gjë themelore, nëse duam që këtij vendi t’i rikthehet paqja.








All the contents on this site are copyrighted ©.