2015-11-03 09:59:00

Dom Ndre Zadeja në përvjetorin e lindjes


Me 3 nëntor kujtojmë përvjetorin e lindjes së priftit martir, poetit e prozatorit shqiptar dom Ndre Zadejës. Dom Ndre Zadeja, klerik, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Tri klasat e para të fillores i kreu në një shkollë italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi pranë Kolegjit Saverian, drejtuar nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta kremtonte Meshën e parë në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë bri kështjellës së Shkodrës Rozafa, ku nderohej e nderohet edhe sot Pajtore Qiellore e shqiptarëve, Zoja e Këshillit të Mirë. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916.

Falë aftësive e kulturës së tij të gjerë, dom Ndre Zadeja nisi shërbimin si sekretar i ipeshkvit imzot Jak Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua nga regjimi komunist në sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945, njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllain, një nga figurat më të ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, dom Lazër Shantojën.

Me 16 gusht të vitit 1944, ndërsa në fshatin Shirokë, afër Shkodrës, kremtohej festa e Shën Rrokut, gjatë procesionit tradicional në shtigjet e vlerta të malit Tarabosh, dom Ndré Zadeja, meshtar shembullor e predikatar në zë dhe largpamës , i pati drejtuar popullit e sidomos rinisë këto fjalë profetike :

“Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me jo o të rij. Një re e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.

E i pari që do t’i përjetonte të këqijat e dyndjes së resë së zezë me ideologji të kuqe e ateiste, do të ishte pikërisht ai që i shqiptoi këto fjalë, tre muaj para se të hynte komunizmit në Shqipëri, e shtatë muaj para se të pushkatohej, pas murit të varrezave katolike të Shkodrës, me 25 mars 1945.

E vërtetë, atë 25 mars të vitit 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e një kleriku katolik,dom Ndreun, të cilin e kishte njohur e dashur thellësisht me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij, për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe "Ora e Shqypnisë", "Hijet e zeza"; "Rrethimi i Shkodrës", "Rozafa" etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist.

Në rrugët e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësisht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës komuniste, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave shqipe, për ta dëmtuar e mundësisht zhdukur traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: "Kanë grî Dom Ndrenë!".

Dom Ndreu, qe  martiri që lau me gjak një tokë të martirizuar: atë të Shkodrës e të Shqipërisë! Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; shpresojmë ta nderojmë edhe si të Lum në nderimet e elterit. Dom Ndre Zadeja është një figurë madhore, meshtari, poeti e Atdhetari që i tha "jo" diktaturës komuniste, i cili na kujton se disidentët e vërtetë, të cilët nuk munguan, iu kundërvunë pa asnjë kompromis, regjimit gjakatar të Enver Hoxhës deri në vdekje, për të merituar nderimin më të lartë: atë të lartimit në elter!








All the contents on this site are copyrighted ©.