2015-11-02 15:22:00

Zi në redaksinë franceze të Radio Vatikanit


Zi në redaksinë franceze të Radio Vatikanit e në të gjitha Redaksitë e një emitenteje, në të cilën jetohet si në gjirin e një familjeje të madhe njerëzish, që lidhen me njëri-tjetrin e lidhin njëri-tjetrin me mbarë botën. Zi për kolegun tonë Bernard Decottignies, që ndërroi jetë mbrëmë.

Me origjinë nga Hainaut i Belgjikës, ishte 56 vjeç. Zëri i tij i bukur qe tejet i njohur nga dëgjuesit e programit francez, që e ndoqën për 30 vjet me radhë. Gazetar ekspert, i vëmendshëm ndaj dinamikave të politikës ndërkombëtare, vlerësohej shumë për korrektësinë e analizave. Ndoqi nga afër shumë shtegtime papnore. Po kujtojmë, posaçërisht, vizitat e Benediktit XVI në Angola e në Kubë e atë të Papës Françesku në Tokën Shenjte. Tejet i ndjeshëm ndaj tragjedive njerëzore e gjithnjë pranë atyre, që i pësonin, e jetonte me pasion angazhimin në një mori projektesh humanitare. I pajisur me një gjallëri të rrallë, e çmonte shumë kontaktin  e drejtpërdrejtë me njeriun, prej këndej, e shfrytëzonte çdo rast për t’u takuar me kolegët, për të shkëmbyer dy fjalë, për të diskutuar për të rejat e jetës së madhe të botës e të jetës së vogël të secilit nga kolegët, francezë apo shqiptarë, në një Radio ku mund të takosh e të bisedosh me njerëz nga të katër anët e globit, që flasin një mori gjuhësh e kanë një mori problemesh. Ai i mirëpriste të gjithë e për të gjithë nuk i mungonte fjala e mirë në gjuhën pa fjalë të zemrës. Dashuronjës i kafshëve e i natyrës, qe i pasionuar për artin e poezinë.

Vdiq pikërisht kur ne të gjithë lutemi për të vdekurit tanë të dashur. U lutem, prandaj sot, për Bernardin, në Meshën e kremtuar në Kapelën e Zojës Nunciatë të Radios, me bindjen se kujtimi i tij do të mbetet i paharruar në zemrat tona.








All the contents on this site are copyrighted ©.