2015-11-02 16:35:00

Tradhti e rëndë ndaj mirëbesimit të Papës!


Në kuadrin e hetimeve të policisë gjyqësore kryer nga  Xhandarmëria vatikanase, në vijim prej disa muajsh lidhur me përvetësimin dhe përhapjen e lajmeve dhe dokumenteve të rezervuara, të shtunën e të dielën e kaluar u thirrën dy persona për t’u pyetur, mbi bazën e elementeve të mbledhura e të fakteve  të siguruara. Njoftimin e jep një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Është fjala për një klerik, imzot Lucio Angel Vallejo Balda e për doktoreshën Francesca Chaouqui, në të kaluarën respektivisht sekretar e anëtare e COSEO (Komisioni referues për Studime e drejtim mbi organizatën e Strukturave Ekonomiko-Administrative të Selisë së Shenjtë), themeluar nga Papa në korrik të vitit 2013 e, më pas, shkrirë për përfundimin e mandatit). Në  vijim, këta dy persona u mbajtën në gjendje arresti për vijimin e hetimeve.

Sot Zyra e Promotorit të Drejtësisë, përmes personave të profesor avokat Gian Piero Milano, Promotor i Drejtësisë dhe profesor Roberto Zanotti, Bashkëpromotor i Drejtësisë, miratuan arrestin e të lartpërmendurve, duke marrë masën e lirimit të doktoreshës Chaouqui edhe për shkak të bashkëpunimit. Pozita e imzot Lucio Angel Vallejo Balda  mbetet për t’u shqyrtuar nga Zyra e Promotorit të Drejtësisë.

Duhet kujtuar se përhapja e lajmeve dhe e dokumenteve të rezervuara është krim, i parashikuar nga Ligji n. IX i Shtetit të Qytetit të Vatikanit (13 korrik 2013), neni 10 (neni 116 bis c.p.)

E përsa u përket librave, që pritet të dalin nga shtypi ditët e ardhshme,  nënvizohet në komunikatë, duhet thënë qartë se edhe këtë herë, ashtu si në të kaluarën, janë fryt i një pabesie të madhe ndaj Papës e, përsa u përket autorëve, i një veprimi që synon të nxjerrë përfitime nga një akt krejtësisht i paligjshëm, siç është dorëzimi i dokumentacionit të rezervuar, veprim pasojat juridike e ndoshta edhe penale të të cilit, janë objekt reflektimi nga ana e Zyrës së Promotorit lidhur me masa të reja, duke kërkuar, në se është nevoja, edhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Botime të kësaj natyre, përfundon Salla e Shtypit, nuk kanë në asnjë mënyrë për qëllim të sqarojnë cila është e vërteta, përkundrazi, të shkaktojnë konfuzion dhe interpretime të pjesshme e tendecioze. Duhet shmangur absolutisht keqkuptimi se kjo mund të jetë një nga mënyrat për të ndihmuar misionin e Papës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.