2015-11-02 17:14:00

Shkodra kremton Jubileun e Meshës së Lirisë qytetare


Në kuadrin e përkujtimit të 25-vjetorit të Meshës së Parë, kremtuar në varreza të Shkodrës nga dom Simon Jubani, më 4 nëntor 1990,  kryedioqeza e Shkodër-Pultit, me famullinë e Kishës Katedrale të Shën Shtjefnit, ka organizuar një program të larmishëm përkujtimor me rastin e këtij jubileu të rëndësishëm për Kishën e për mbarë Shqipërinë, që shënoi kështu lirinë e rifituar qytetare dhe fillimin e procesit demokratik të Vendit.

Përkujtimi i datës 4 nëntor 1990, do të thotë përkujtim i Meshës së parë, që shënoi kthesën e ndryshimin historik në Shqipëri, pas viteve të gjata persekutimi, ndalimi e dhunimi nga regjimi komunist. Prandaj, Kryedioqeza e Shkodër-Pultit ka ndërmarr aktivitete të ndryshme së bashku me logon e 25 vjetorit të Meshës së Parë. Programet kanë filluar një muaj më parë, në fillim të tetorit, me prezantimin e logos së 25-vjetorit të Meshës së parë dhe të kalendarit të aktiviteteve përkujtimore. Ka zgjedhur gjestin e dhurimit të gjakut, lëngut të jetës për të bërë zyrtarizmin e kësaj ngjarje të guximshme lirie që dëshmojë dashurinë e popullit shqiptarë për Krijuesin.

Logo e 25 vjetorit të Meshës së Parë

Në qendër të logos është një pemë e përbërë me rrënjët, trugun e kurorën me gjethe. Pema e jetës. Pema ka formën e  një çinari që ndodhet në vendin ku u pushkatuan një numër i madh martirësh të njohur e të panjohur. Sikur të kishte gojë çfarë nuk do të fliste për torturat e qëndresën deri në klithje «Rroft Krishti Mbret». Një pemë që na kujton edhe lashtësinë e këtyre trojeve, të ungjillëzuara nga apostujt të cilët mbjellën së pari besimin në një popull që më përpara ishte paganë. E kaluara e historia është vetëdija e një populli që kërkon të orientohet drejt të ardhmes prandaj kjo logo kërkon të na kujtojë rrënjët tona e jo vetëm kaq por edhe Shpresën (Zotin) që na ka mbështjellë gjatë gjithë historisë sonë.

Logoja është historia në miniaturë e Shqipërisë, që na nxit të frymëzohemi e të marrim mesazhin e jetës, shpresës e të qëndresës. Liria është sfidë e përditshme, që kërkon dhurim të përditshëm e kjo na kujton drunin e jetës, Kryqin. Kryedioqeza e Shkodrës falënderon të gjithë personat të cilët kanë kontribuar me ide por falënderimi kryesor dhe më i veçantë shkon për dizenjatorin e logos, Eugjen Makaj.

Me 31 tetor “u mbajt një “Mbrëmje artistike” , në sallën Kardinal Mikel Koliqi në orën 17.00. Një mbrëmje me poezi e këngë frymëzuar nga liria.

Me 3 nëntor procesioni me stendat e martireve nga Motrat Klarise tek varrezat e Rrmajt në Shkodër në orën 14.00.

E gjithë dioqeza së bashku me stendat e martirëve në duar do të përshkojnë rrugën që përshkuan martirët drejt pushkatimit.  Rruga e memories do të ndriçojë me lutje e falënderim për fenë e tyre.

– Me 4 nëntor Mesha solemne tek varrezat e Rremajt në orën 10.00. Pas Meshës inaugurimi i kapelës së Varrezave, të restauruar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Në orën 17.00 koncert me pjesëmarrjen e koreve të ndryshme, aktivitet që organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.