2015-11-02 14:02:00

Françesku pasdite u gjunjëzua në Kriptën e Vatikanit


Në gjunjë, para atyre që i paraprinë në fronin e Shën Pjetrit. Papa Françesku zbriti, si zakonisht, kur Kisha përkujton të vdekurit, në Kriptën e Vatikanit, në orën 18.00, për një çast lutjeje në formë ngushtësisht private, pranë varreve të Papëve. Nesër, në orën 11.30, do të kryesojë Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit për kardinajtë dhe ipeshkvijtë, që ndërruan jetë gjatë vitit të kaluar.

Thelbi i fundmë i fesë së krishterë është një rrasë guri e rrotulluar e një varr i zbrazur. Gur, i cili vijon të përhapë lajmin se vdekja u mund nga dashuria, që nuk vdes kurrë.

Në Kriptën e Vatikanit

Këtë pati kujtuar Papa Françesku vitin e kaluar, në Meshën për kardinajtë dhe ipeshkvijtë e vdekur, kremtim që do ta kryesojë edhe nesër, në orën 11.30, pas vizitës që bëri sot, në orën 18.00, në Kriptën e Vatikanit, ku u gjunjëzua në lutje para varreve të paraardhësve.

Ringjallje, jo bindje

“Ngjarja e Ringjalljes, pohon Papa Françesku, i përgjigjet kërkesës së Popullit të Zotit, kërkesës së çdo njeriu edhe të mbarë njerëzimit. Jemi të thirrur, pohon Papa, të shkojmë tek varri, për të parë me sytë tanë se rrasa e gurtë është flakur; për të dëgjuar kumtin e madh; “U ngjall! Nuk është këtu!”. Atje e marrim përgjigjen. Aty është themeli, shkëmbi. Jo në fjalët bindëse të dijes, por në fjalën e gjallë të Kryqit e të ngjalljes së Jezusit. Përndryshe, vëren Shën Pali, nëse Ai nuk u ngjall, e kotë është feja jonë, e zbrazët, e pavlerë. Por me që Krishti u ngjall, madje është Ai vetë “Ngjallja”, atëherë feja jonë “është përplot me vërtetësi e me jetën e pasosur”.

Tre ditët e kokrrës së grurit

Edhe tri ditët e heshtjes së varrit, nga fryma e fundme mbi Kalvar, tek vetëtima e dritës, që çan errësirën e varrit, duhen parë me syrin e fesë, shpjegon Papa. Janë tri ditët e kokrrës së grurit, tri ditët në të cilat bie në tokë e rri aty aq sa duhet për t’u plotësuar masa e drejtësisë dhe e mëshirës së Zotit, për të dhënë, pastaj, shumë fryt, frytin e shëlbimin për mbarë njerëzimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.