2015-11-01 17:47:00

Françesku: udha e shenjtërisë është Jezusi, udhë e lumturisë


“Udha e shenjtërisë është edhe udha e lumturisë: udhë e përshkuar nga vetë Jezusi. Kush ecën me Të, hyn në jetën e amshuar”. Është pohimi i Papës sot pasdite, gjatë Meshës në Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, në varrezën romake  të Veranos, kremtuar për shpirtin e të vdekurve.

I pranishëm, në aktin e parë zyrtar të detyrës së re, që e nisi sot, komisari i ri i Romës, prefekti Francesco Paolo Tronca. Papa vuri një trëndafil të bardhë mbi varrin e një familjeje romake, si shenjë kujtimi për gjithë të vdekurit e dioqezës.

“Shenjtorët na paraprijnë në atdheun qiellor, na shoqërojnë e na japin zemër të ecim përpara në shtegtimin tonë tokësor”.

Me këto fjalë Françesku i ftoi gjithë të krishterët, në të katër anët e botës, të nisin shtegtimin në udhën, që të çon tek lumturia e vërtetë. Jezusi është kjo udhë! Kush ecën me të, hyn në jetën e pasosur:

“Udhë e vështirë për t’u kuptuar, sepse shkon kundër rrymës, por Zoti na thotë se kush ecën në këtë rrugë, heret o vonë bëhet i lum”.

I lum, shpjegoi Papa, është skamnori në shpirt, sepse e ka zemrën të zhveshur e të lirë nga sendet e botës; ai pritet në Mbretërinë e Hyjit. E i  lum është edhe ai, që qan, sepse kush nuk e provoi kurrë në jetë trishtimin, ankthin, dhimbjen, nuk do ta njohë kurrë as forcën e ngushëllimit.

Të lumë, ndërkaq, mund të jenë vetëm ata, që kanë aftësi të preken, ta ndjejnë në zemër dhimbjen, në jetën e tyre e në atë të të tjerëve. Këta do të jenë të lumë! Sepse dora e ngrohtë e Hyjit Atë do t’i ngushëllojë e do t’i ledhatojë.

 E nëse shpesh jemi të paduruar, nervozë, gati për t’u ankuar, plot pretendime, Ungjilli, kujtoi Françesku, na thotë se të lumë janë zemërbutët,  si etërit e nënat ndaj fëmijëve të tyre, që shpesh “i bëjnë të çmenden”.

Por nuk duhet harruar se dikush na prin në këtë udhë: 

“Jezusi vetë eci në këtë udhë: që i vogël provoi persekutimin e mërgimin, e pastaj, i rritur, shpifjet, stërkëmbëzat, akuzat e rreme në gjykatë; e të gjitha i mbarti me zemërbutësi, duke arritur deri atje sa të mbartë zemërbutësisht, nga dashuria për ne, edhe kryqin”.

Janë të lumë ata, që kanë uri e etje për drejtësi, jo vetëm ndaj të tjerëve, por, në radhë të parë, ndaj vetes, vijoi Françesku, sepse janë gati ta pranojnë drejtësinë më të madhe, atë që mund ta japë vetëm  Zoti.  

E pastaj, lumë të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë. Lumë ata, që dinë të falin, që kanë mëshirë për të tjerët, që nuk gjykojnë gjithçka e gjithkënd, por kërkojnë të vihen në vendin e të tjerëve. Falja është gjëja për të cilën të gjithë, pa përjashtim, kemi nevojë, theksoi Papa, të pranosh se je mëkatar, nuk është formalitet, është akt vërtetësie. Nëse jemi të aftë t’ua falim të tjerëve fajin, ashtu si na e fal ne Zoti, atëherë nuk mund të mos jemi të lumë, ashtu siç na e kujton Atyna: “Na i fal, o Zot, mëkatet tona, si i falim ne fajtorët tanë”:

“Shenjtorët janë edhe  njerëz, që punojnë për paqen, bij të vërtetë të Zotit,  bij të Atit tonë, që është në Qiell, që mbjell vetëm paqe, që e dërgoi të Birin si farë paqeje për njerëzimin”.

Pra, përfundoi Françesku, duke ndjekur shembullin e shenjtorëve, t’i kërkojmë Jezusit hirin të jemi njerëz të thjeshtë e të përvujtë, hirin të dimë të qajmë, hirin të jemi zemërbutë, hirin të punojmë për drejtësinë e paqen e, posaçërisht, hirin t’i lutemi Zotit të na falë, për t’u bërë mjete të mëshirës së Tij.

Kështu bënë shenjtorët, tha në përfundim të homelisë Françesku, ata që na paraprinë në atdheun qiellor. Ata na shoqërojnë në shtegtimin tonë tokësor, na japin zemër të ecim përpara në udhën e Jezusit. Ndërmjetësimi i tyre na ndihmoftë e na nxjerrtë hirin e lumturisë së amshuar për motrat e vëllezërit tanë të vdekur, për të cilët po e mblatojmë këtë Meshë Shenjte.








All the contents on this site are copyrighted ©.