2015-10-30 17:12:00

Papa: të zhduket puna e detyruar dhe format e reja të skllavërisë


Të zhduken format e reja të skllavërisë! Kjo, thirrja e Papës në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve të Konferencës, kushtuar trafikut të njerëzve, që po mbahet në Madrid sot e nesër, organizuar nga Grupi i Shën Martës, grup ndërkombëtar punonjësish të forcave të rendit dhe ipeshvijsh nga mbarë bota, që bashkëpunojnë me shoqërinë civile për të çrrënjosur trafikun e qenieve njerëzore e për t’u garantuar kujdesin baritor viktimave. Grupi e merr emrin pikërisht nga selia e Papës Françesku, ku një delegacion i tij qe pritur në prill të vitit 2014.

Duke shprehur gëzimin e kënaqësinë baritore, që grupi i Shën Martës është mbledhur në manastirin simbolik të Shën Lorencit në Escorial, Françesku kujton nismat e ndryshme, që mund të kontribuojnë në veprimtarinë bamirëse të tij, ndërmjet të cilave, takimi i kryetarëve të bashkive në Vatikan, në prillin e kaluar, kur u nënshkrua një deklaratë me impenjimin për të punuar në zhdukjen e skllavërisë së re, e cila u dënua si krim kundër njerëzimit.

Papa nënvizon edhe rëndësinë që pati miratimi, kohët e fundit, i Agjendës 2030, me objektiva të reja të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së. Ndërmjet këtyre objektivave, edhe inkurajimi për marrjen e masave të menjëhershme e të frytshme për ta zhdukur punën e detyrueshme e për t’i dhënë fund formave të reja të skllavërisë dhe të trafikut të njerëzve, duke siguruar ndalimin e zhdukjen e formave më të këqija të punës së të miturve, përfshirë rekrutimin dhe përdorimin e fëmijëve si ushtarë si dhe për t’i dhënë fund, mbrenda vitit 2015, punës së të miturve në të gjitha format e saj.

Papa shpreson se do të merren të gjitha masat e nevojshme për zhdukjen e fenomenit të përjashtimit shoqëror dhe ekonomik, me pasojat e tij të trishtuara: trafikun e njerëzve, tregtinë e organeve dhe të indeve njerëzore, shfrytëzimin seksual të të miturve dhe të të miturave, punën skllavëruese, duke përfshirë edhe prostitucionin, trafikun e drogave dhe të armëve, terrorizmin e krimin e organizuar ndërkombëtar.

Së fundi Papa i kërkon Zotit të gjithëpushtetshëm t’i japë Grupit të Shën Martës forcën për ta çuar përpara misionin e vet kaq delikat, kaq humanitar e kaq të krishterë, për të shëruar plagët e hapura e të dhimbshme të njerëzimit, që janë edhe plagët e Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.