“Të jetë motor i ungjillëzimit për çdo vend të Amerikës Latine, me synim kryesor kthesën baritore e misionare”. Këtë uroi Papa për Celam (Këshillin Episkopal Latinoamerikan), duke pritur sot, në Vatikan, prijësit e tij, kryesuar nga kardinali Rubén Salazar Gómez. Gjatë takimit, Françesku i drejtoi Celamit një mesazh me rastin e 60-vjetorit të themelimit.
Shpresoj se Celam – shkruhet në mesazh - do të marrë gjithnjë e më shumë pjesë në lëvizjen e ungjillëzimit, duke e ndriçuar në të gjitha fushat e kufijtë, e se bashkësitë tona do të jenë gjithnjë e më shumë shkollë bashkimi, të afta për të kontribuar e për ta mbajtur gjithnjë të gjallë në Kishën e Amerikës Latine, pasionin për popujt tanë. Në mesazh Papa e fton Kishën latinoamerikane “të marrë pjesë në vuajtjet e njerëzve dhe ta vlerësojë historinë e tyre të sotme, për të hapur, kështu, në të ardhmen, shtigje më të drejta, plot paqe e drejtësi”.
Hapja e afërme e Jubileut të Mëshirës, përfundon Françesku, do të jetë ngjarje e madhe hiri, në të cilën Celam duhet të kryejë një shërbim themelor gjallërimi, ballafaqimi e kremtimi.
All the contents on this site are copyrighted ©. |