2015-10-29 15:51:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: jeto për mua


Emmisionin e sotëm, të dashur dëgjues, ia kushtojmë misterit të vdekjes, pikërisht ndërsa, me muajin e nëntorit, afrohet edhe përkujtimi i të gjithë shenjtorëve dhe i të dashurve, që janë larguar nga kjo botë.

Ka “prani”, që i ndjejmë të afërta, që i kërkojmë, ndoshta, më shumë se Engjëllin e Rojes, që u drejtohemi për këshillë e ndihmë. Këto “prani” janë të afërmit tanë të vdekur. Kisha na mëson të themi “pushofshin në paqe”, sepse në jetë kanë dhënë gjithçka kanë mundur e gjithçka kishin, - “shporta me dhimbje dhe vile me dashuri”, thotë një këngë popullore – e tani e kanë radhën për të pushuar. Kanë kapërcyer pragun e amshimit e tashmë, jetojnë në Krishtin e Ringjallur gëzimin pa fund të Shtëpisë së Atit Qiellor. Me vdekjen e tyre na kanë mësuar ç’është jeta. Me heshtjen e tyre, na shoqërojnë gjithë jetën.

Për të mos e prishur paqen e të drejtëve me fjalë të kota, shfletojmë një faqe të famshme të letërsisë. Në romanin “Vëllezërit Karamazov”, Fjodor Dostojevskij tregon për plakun Zosima, që kujton përvojën e jetuar kur ishte tetë vjeç dhe i duhej t’i shërbente të vëllait, Markel, i sëmurë, pa shërim: “Kujtoj – thotë Zosima – se një herë, hyra vetëm në dhomën e vëllait të sëmurë, kur nuk kishte njeri. Ishte një mbrëmje e qetë: dielli perëndonte dhe rrezatonte pjerrtas gjithë dhomën. Sa më pa, ma bëri me shenjë; iu afrova dhe ai më mori duart. Për një minut më vështroi ngultas, pastaj më tha: ‘Hajde, ik të luash tani! Jeto për mua!’. Unë, atëherë, dola dhe shkova të luaj. Më vonë, njëmijë herë gjatë jetës, kam kujtuar me lot për faqe si më kishte urdhëruar të jetoj për të”.

“Jeto për mua!” u bën jehonë fjalëve të Jezusit në Ungjillin sipas Gjonit: “Po shkoj t’ju përgatis një vend!”. Për ne është e vështirë ta kuptojmë misterin e vdekjes. Secili hipën në barkën e jetës, ngre velat dhe del në det të hapur, mbi valët e pasigurta e nganjëherë, edhe kapriçoze. Ka ditë, që duke parë horizontin, sheh se një barkë zhduket: “Iku!”. Por para misterit të vdekjes, ndërsa ne themi “iku”, të tjerë, në bregun tjetër të detit të jetës, në molin e portit të Qiellit, thërrasin me gëzim: “Ja, po vjen!”. Ajo që për ne është ndarje e trishtuar, për të afërmit tanë, që ndahen nga kjo botë, është horizont i lumtur. Barka nuk zhduket, jam unë, që nuk e shoh më. Të vdekurit nuk janë “njerëz, që mungojnë”, por “njerëz të padukshëm”. Nuk janë më “ndër” ne, por do të jenë gjithmonë “me” ne. Thotë feja: “Jeta nuk mbaron, shndërrohet”.

 Edhe për ata, që nuk besojnë në jetën e përtejme, mbetet vazhda e të dashurve në detin e jetës: gjurmë, që u shtron përpara pyetje, që i provokon, që i nxit të kërkojnë. Si për atë që beson, ashtu edhe për atë që s’beson, vështrimi mbi historinë e jetës, që vijon edhe përtej horizontit, është nxitje për të menduar mbi dashurinë e shpresat, që kemi ndarë me të vdekurin, është shtysë për një shqyrtim serioz e të thellë të ndërgjegjes, është guxim për ta pyetur veten nëse mbi atë barkë jemi vërtet duke lundruar, apo vetëm qëndrojmë mbi ujë.

Të afërmit e vdekur na mësojnë të kemi më tepër frikë nga një jetë plot gabime, ose bosh, ose të kotë, se sa nga horizonti i fundëm drejt të cilit shkojmë, pra, nga vdekja. Le t’i mendojmë ata në dritën e Zotit të Ringjallur, ndërsa na shohin si nga shkallët e një stadiumi. Ne jemi në fushë, duke vrapuar në lojën e jetës, secili me rolin e vet, derisa arbitri i madh të fishkëllejë edhe për ne daljen nga skena. Por deri atë ditë, të afërmit tanë të vdekur janë tifozët tanë, ndajnë gëzimet e dhimbjet, duke na inkurajuar kur lodhja fillon të ndjehet, ose kur kundërshtarët na shkelin me këmbë.

 Nëse Zoti është dashuri, atëherë Ai do të marrë hak për vdekjen tonë. Gjithçka përfshihet në dashuri, i është shkëputur vdekjes. Hakmarrja e Zotit është ringjallja, shpëtimi. Të shpëtosh do të thotë të ruash. Ringjallje do të thotë dashuri e pandarë, ku asgjë nuk humbet, as përkëdhelja, as buzëqeshja, as fjala, as loti më i vogël e më i fshehtë.

T’u themi atëherë të afërmve të vdekur “Lamtumirë”, “Adio”, pra, “ad Deum”, te Zoti. Do të shihemi te Zoti, në shtëpinë e Hyjit, në hapësirën pa fund të Dashurisë së amshuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.