2015-10-29 18:03:00

Kardinali Parolin për Sinodin, Kinën e udhëtimet e ardhshme të Papës


Pas përfundimit të Sinodit për Familjen, shumë pyesin nëse Papa Françesku do të botojë një Nxitje Apostolike pas sinodale, mbi bazën e relacionit përfundimtar, që i kanë dorëzuar ipeshkvijtë e mbarë botës. Për këtë ftuam në mikrofonin tonë Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili flet edhe për Kinën e vizitat e ardhshme baritore të Atit të Shenjtë. Ta dëgjojmë:

         Sinodi, duke i dorëzuar mesazhin Papës, i hapi edhe perspektivën e shndërrimit të relacionit në një dokument papnor, siç ka ndodhur normalisht për të gjitha Sinodet: etërit sinodalë i ofrojnë një sërë reflektimesh Atit të Shenjtë, i ofrojnë rezultate e pastaj, Papa mund t’i bëjë të vetat përmes një dokumenti. Mendoj se edhe kësaj radhe kështu do të ndodhë. Por, deri tani, nuk është folur për këtë. Është Papa, që duhet të vendosë. Ati i Shenjtë ka marrë tashmë vendimin për ta publikuar Relacionin përfundimtar të Sinodit, që i është dhënë atij vetë: deshi që të njihej e të përhapej.

Do të kalojë shumë kohë për këtë?

         Nuk e di. Në të vërtetë, nuk guxoj të pronocohem. Para së gjithash, duhet parë ç’ka ndërmend të bëjë Papa, nëse dëshiron të hartojë një dokument përfundimtar. Mendoj se nuk do të kalojë shumë kohë, sepse, zakonisht, këto gjëra duhen bërë shpejt, përndryshe e humbasin disi forcën e ndikimin e tyre. Mendoj se nëse Papa vendos, do ta bëjë në kohë relativisht të shkurtër.

Para pak kohësh, një delegacion vatikanas shkoi në Pekin. Është hera e parë kjo? Kemi dëgjuar diçka, por nuk dimë më shumë…

         Jo, kjo bën pjesë në një rrugë të caktuar, që synon normalizimin e marrëdhënieve. Prandaj… nuk është hera e parë.

Por është hap i rëndësishëm përpara, apo jo?

         Fakti që jemi në gjendje të flasim për këtë është hap i rëndësishëm.

Çfarë mund të sjellë?

         Të mos bëjmë shumë parashikime. Ne urojmë që gjithçka të shërbejë për arritjen e një marrëveshjeje, në mënyrë që të kemi marrëdhënie normale me Kinën e me Pekinin, ashtu siç i kemi me gjithë të tjerët, ose, së paku, me shumicën e vendeve të botës. Fakti se mund të dialogojmë është pozitiv.

Po kremtohet 50-vjetori i dokumentit konciliar “Nostra aetate”, që trajton marrëdhëniet e Kishës me fetë jo të krishtera. Sipas jush, krerët fetarë kanë përgjegjësi në transemtimin e vlerave?

         Përgjegjësi të madhe, madje, sepse duhen krijuar të gjitha kushtet, që mund të ndihmojnë paqen, por, në fund të fundit, paqja lind nga zemra e njeriut. Paqja lind nga një zemër e pajtuar, pra, në paqe me Zotin, në paqe me të afërmin, në paqe me vetveten. E në këtë kuptim, vepra e fesë, kontributi i saj është themelor. Pikërisht sepse në shumë raste, dhuna justifikohet në emër të Zotit, sot, krerët fetarë e kanë për detyrë e përgjegjësi të pohojnë se kjo nuk është e vërtetë e t’u bëjnë thirrje ndjekësve të feve të ndryshme të jenë ndërtues të paqes.

A është e mundur paqja në Siri?

         Paqja është e mundur nëse ka njerëz të gatshëm për ta ndërtuar. Paqja nuk është automatizëm… kur ka njerëz, që, pavarësisht nga vështirësitë e situatave tepër të ndërlikuara, me vullnet të mirë, përpiqen të thurin sërish fijet e paqes, vetëm atëherë mund të vijë paqja. Por deri kur të mbizotërojë vetëm vullneti për kundërvënie e mposhtje, besoj se do të jetë shumë e vështirë. Duhet gjetur sërish ndjenja e përgjegjësisë dhe vullneti i përbashkët për të arritur paqen.

Pas një muaji, Papa do të shkojë në Afrikë. A ka ndonjë shqetësim për praninë e integralistëve të al Shabaab, ose për dhunën në Republikën Qendroafrikane?

         Besoj se ndonjë shqetësim, edhe ekziston. Megjithatë, nëse shkon Papa, ekzistojnë edhe kushtet që Papa të shkojë. Mund të themi se këto fenomene janë nën kontroll, së paku për vizitën e Atit të Shenjtë. Fakti që udhëtimi realizohet, do të thotë se ekzistojnë kushtet minimale që Papa të shkojë e të qëndrojë atje kohën e nevojshme për të realizuar programin.

A ka frikë Papa?

         Nuk besoj. Nuk besoj se Papa ka frikë. Sepse, është e qartë se nëse ndokush ka frikë, nuk shkon atje. Ndërkaq, Papa shkon gjithandej.

Ku e gjen guximin?

         Besoj se e gjen në fenë e tij. Madje, deshi pikërisht që ky udhëtim në Afrikë të karakterizohej nga vizita në Republikën Qendrafrikane për situatën e konfliktit në të cilën ndodhet, sepse mendon të shkojë e t’u thotë një fjalë të krishterëve, katolikëve, por edhe të gjitha palëve të përfshira, si kontribut për arritjen e paqes. Prandaj, është gati të përballojë rreziqet, që mund të dalin.

Ju do të shkoni me të?

         Mendoj se po, mendoj se po, por të shohim… sepse ka edhe çështje të tjera, si për shembull Cop21 në Paris. Atëherë, duhet të shohim si t’ia bëjmë.

Ju do të shkonit pa frikë?

         Unë po. Siç e thashë: ne shkojmë në mesin e një beteje! Sinqerisht, deri më sot, nuk kam pasur frikë.

Përsa i përket Jubileut të Mëshirës, a ka ndonjë nismë të veçantë, për shembull, për dialogun ndërfetar?

         Jo. Nuk kam asnjë informacion për këtë. Ndoshta, në muajt e ardhshëm, ose gjatë Jubileut, por tani për tani, nuk kam njohuri për këtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.