2015-10-28 17:12:00

Salezianët në Prishtinë me misionin e të rinjve


Misioni i Bashkësisë Saleziane në Prishtinë në fushën e edukimit dhe të arsimimit të të rinjve në Kosovë, një veprimtari e çmuar nga mjedisi i kryeqytetit kosovar. S’ka dyshim se ndihma më e çmueshme që mund t’i ofrohet një populli e vendi është formimi i të rinjve, sepse kështu ndërtohet e ardhmja. Kisha katolike nuk kursen energjitë e as strukturat e saj në këtë fushë veprimi, e bindur se kështu, përmes edukimit e formimit të të rinjve, ofron një shërbim të rëndësishëm shoqërisë e mbarë Vendit. Më hollësisht të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt......

Sukseset e qendrës shkollore ‘Don Bosko’ në Prishtinë

Bashkësia Saleziane në Prishtinë e përkushtuar fort në edukimin dhe arsimimin vit pas viti të gjeneratave të reja në Kosovë. Tre meshtarë salezianë, drejtori don Izidor Llukiq, që mban barrën kryesore, e don Tomë Mihaj dhe don Pavlin Zefi janë të angazhuar me përkushtim e përgjegjësi për disiplinën, rregullin, pastërtinë, edukimin dhe sigurinë në shkollën e mesme dhe fillore me afro 660 nxënës.

Nxënësit me të cilët biseduam na thane se janë shumë të kënaqur me gjithçka që ju ofron Qendra Don Bosko në Prishtinë.

‘Ky vit shkollor është vërtetë i bekuar, me plotë bekime nga Zoti sepse në shkollën tone vetëm sivjet janë regjistruar mbi 250 nxënës nga Prishtina dhe komunat tjera të Kosovës. Janë nxënës  me mbi 90 % e besimit mysliman, porse me propozim nga prindërit me dëshirë e kanë përqafuar sistemin shkollor edukativ parandalues sipas shembullit të priftit, mësuesit dhe edukatorit, të Shenjtit Don Gjon Bosko’ thotë drejtori don Izidor Llukiq.

Ai ndjehet i lumtur që asnjëherë nuk ka bërë ndonjë reklamë, publicitet apo thirrje për regjistrimin e nxënësve në Liceun Elektroteknik, në Gjimnazin e Përgjithshëm apo në klasat e fillores. Siç shprehet ai, për çudi sivjet ka pasur një invasion edhe më të madh të interesimit të prindërve, të cilët qysh nga janari i këtij viti e deri në prill janë rezervuar vendet e regjistrimit të nxënësve për këtë vit shkollor, duke mbetur në listat e pritjes mbi 100 të tjerë. ‘

E, mbi të gjitha ajo që na bën edhe më krenar është se prindërit i kanë rezervuar vendet për regjistrim të fëmijëve të tyre edhe për vitin shkollor 2016/2017’, na thotë don Izidori duke i shfletuar listat. Ai përmend edhe stafin e shkollës i cili  përbëhet nga 70 punëtorë e mësimdhënës që punojnë me përkushtim dhe fillimin e ndërtimit  të objektit të shkollës fillore nga fondacioni gjerman ‘Renovabis’ në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane.

Biseduam edhe me disa nxënës të dalluar të Gjimnazit të Përgjithshëm:

Diellza Pireva, klasa 12-të, thotë se pasi prindërit ishin të kënaqur me diplomimin e vëllait të saj në Shkollën Don Bosko, më preferuan edhe mua për çka i falënderojë gjithë jetën sepse jam e lumtur me gjithçka që me rrethon këtu. Ka rregull, disiplinë, raporte të afërta me udhëheqjen e shkollës, profesorët etj. E mbi të gjitha thotë ajo kemi siguri në shkollë.

Shqipdona Gashani bashkë me motrën e saj dhe disa nxënës të tjerë udhëtojnë nga Drenasi, rajoni i Drenicës nga 60 kilometra në ditë, por kjo nuk i pengon që më dëshirë të vijojnë mësimet në Qendrën Don Bosko. Ajo tregon se çdo mëngjes e nisin mësimin me diçka të bukur nga karizmat e këtij të Shenjti.

Maturanti Nerit Çerkezi, nga Prishtina, aq sa është i lumtur që është nxënës i kësaj shkolle, po aq ndjehet i mërzitur se në këtë vit shkollor duhet të ndahet nga shoqëria dhe stafi i shkollës për të vazhduar studimet. ‘E kam të vështirë sepse jam mishëruar me këtë shkollë’, thotë Neriti.

Ndërsa Adea Shatri, klasa 10-të, thotë se prindërit e kanë regjistruar në këtë shkollë pa e pyetur fare. Por, cili prind ia do të keqën fëmijës së tij, thotë ajo duke qenë mirënjohëse ndaj prindërve të saj, sepse  siç tha e kanë drejtuar kaq mire në jetë.

Këta nxënës i bënë edhe më të lumtur ngase në Qendrën Don Bosko nuk ka dallime sociale në asnjë aspekt të jetës, trajtimi i tyre i barabartë, afërsia e bashkëpunimi i udhëheqjes dhe stafit mësimdhënës që është korrekt me prindërit e tyre, mësimi, edukimi, siguria e çdo gjë tjetër që u ofrohet në Qendrën Don Bosko sepse kjo shkollë është e përkushtuar të përgatis rini të shëndoshë, të pastër dhe profesionale në të mire të tyre dhe në shërbim të shtetit të Kosovës.   








All the contents on this site are copyrighted ©.