2015-10-28 17:28:00

Prijësit fetarë: deklarata “Nostra Aetate”, themelore për dialogun mes feve


Themelore. Kështu u quajt Deklarata e Koncilit II të Vatikanit “Nostra Aetate”, në takimin e mbajtur të mërkurën më 28 tetor, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, në të cilin morën pjesë përfaqësues  të feve të ndryshme, të pranishëm pak çaste më përpara në audiencën e përgjithshme ndërfetare të Papës Françesku, mbledhur këto ditë në kuvëndimin ndërkombëtar, organizuar pranë Universitetit Papnor Gregorian, kushtuar 50-vjetorit të Deklaratës konciliare.

Kaluan pikërisht 50 vjet nga shpallja e Deklaratës konciliare “Nostra Aetate”, dokument themelor për  nxitjen e respektit, miqësisë e dialogut me fetë e tjera. Zëdhënësi vatikanas, atë Federico Lombardi, kujtoi se ky përvjetor kremtohet me dëshirën e Papës Françesku.

Vlera e dokumentit dhe rëndësia e audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit u nënvizuan nga Abdellah Redouane, sekretar i përgjithshëm i Qendrës islamiko-kulturore për Italinë:

“Shenjtëria e Tij konfirmoi një pikë shumë të rëndësishme për ne, myslimanët: qendërsinë e një Zoti të vetëm. Kujtoi edhe se në kultin mysliman, kemi lutjen, lëmoshën e agjërimin. Duke i numëruar këto elemente, Shenjtëria e Tij ishte shumë pranë myslimanëve e kjo nuk është e para herë: ai e ka shprehur gjithnjë afërsinë ndaj myslimanëve dhe hapjen ndaj nesh. Ne i mbështesim të gjitha veprimet e tij e urtinë e tij, sepse bota e sotme ka nevojë për një zë autoritar, si zëri i Françeskut”.

Me rëndësi të jashtëzakonshme, takimi ndërfetar me Papën Françesku edhe për rabinin Claudio Epelman, drejtor ekzekutiv  i Latin American Jewish Congres, i cili e pati njohur kardinalin Bergoglio që kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Aires. Rabini e vlerësoi shumë çastin e fundmë të audiencës, kur Françesku i ftoi të gjithë të luteshin sipas fesë së tyre. Ishte një lutje, në të cilën heshtja foli më mirë se çdo fjalë:

“Today we have been witnesses of something historic: in Saint Peter’s Square…

Sot ishim dëshmitarë të një ngjarjeje historike; në Sheshin e Shën Pjetrit Papa i foli publikut katolik për marrëdhëniet me fetë e tjera. Mendoj se gjuha e  Papës  është edhe gjuhë e gjesteve,  jo vetëm e fjalëve. E pamë si komunikon me njerëzit, edhe me ne, përfaqësuesit e feve të tjera”.

Rabini David Rosen, drejtor për Marrëdhëniet ndërkombëtare të Latin American Jewish Commitee, vuri në dukje se “Nostra Aetate” ishte një revolucion i vërtetë për marrëdhëniet me hebraizmin:

“The fact that “Nostra aetate” led to …

Fakti se “Nostra Aetate” solli në këtë tip marrëdhëniesh me fetë e botës, është mesazh për ne, të krishterët e hebrenjtë. Marrëdhëniet tona janë shumë të rëndësishme, janë qëndrore, por duhet kujtuar edhe se këto marrëdhënie  na bëjnë thirrje të krijojmë lidhje miqësie me të gjitha fetë”.

Swami Chidananda, themelues i Ojq-së indiane Fowai Forum, foli për marrëdhëniet me hinduistët:

“Reading the 'Nostra aetate'…

Leximi i “Nostra Aetate” ishte burim frymëzimi. Mua më kujton shpirtin e hinduizmit, sepse hinduizmi thotë gjithnjë: “E vërteta është një e vetme, e studiuesit e shprehin në mënyra të ndryshme”. Në “Nostra Aetate” ndjehet vazhdimësia e thirrjeve për respektimin e vlerave, të kulturave, të  dinjitetit të tjetrit. Duhet t’i lexojmë shprehjet e ndryshme fetare me vëmendje, pa synuar ta zhvleftësojmë njëri-tjetrin. Vlerat e fisme njerëzore, që përmban “Nostra Aetate”, janë me të vërtetë të rëndësishme”.

Samani Pratibha Pragya, përfaqësues i Jain Vishwa Bhrati,  nxori në pah perspektivën e feve:

“All religions are together…

Të gjitha fetë janë së bashku. E kjo është bukuri, që prodhon një  aromë të larmishme për njerëzimin, e pasuron, e bën më të bukur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.