2015-10-27 14:10:00

Papa: Kushtetuta “Pastor bonus” është plotësisht në fuqi


Punësimi dhe transferimet brenda Shtetit të Vatikanit duhet të bëhen sipas normave në fuqi: tranzicioni aktual, për shkak të reformave në Kurien Romake, që akoma janë në studim, nuk duhet kuptuar si fazë boshllëku legjislativ.

“Pastor bonus” plotësisht në fuqi

Këtë vë në dukje letra, që Papa Françesku i dërgon kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Ati i Shenjtë përmend disa probleme, që janë hasur pikërisht në interpretimin e kësaj faze, në të cilën, thekson Papa, Kushtetuta Apostolike “Pastor bonus” së bashku me ndryshimet e mëvonshme, si edhe “Rregullorja e përgjithshme e Kuries Romake” janë akoma në fuqi dhe shërbejnë si bazë ligjore për administrimin e institucioneve vatikanase. Janë gjithashtu të vlefshme të gjitha rregulloret për personelin drejtues laik dhe për Komisionin, që vlerëson marrjen në punë të laikëve në Selinë Apostolike. Papa kërkon që këto norma të ndiqen e të respektohen me përpikmëri, si për të siguruar zhvillimin e zakonshëm të punës së përditshme të Kuries, ashtu edhe për trajtimin ekonomik të drejtë e të barabartë për të gjithë bashkëpunëtorët.

Punësimi e transferimet

Për rrjedhojë, sqaron Ati i Shenjtë, “edhe punësimet e transferimet e personelit duhet të bëhen sipas kufijve të vendosura nga tabelat organike, përjashtuar çdo kriter tjetër, me autorizimin e Sekretarisë së Shtetit dhe duke ndjekur procedurat e parashikuara, përfshirë parametrat e caktuara për pagesën”.

Guvernatorati dhe entet e tjera vatikanase

         Kjo, përfundon Papa Françesku, vlen edhe për Guvernatoratin e Shtetit të Vatikanit dhe për Institucionet, që varen nga Selia Apostolike, pavarësisht se nuk përmenden shprehimisht në Kushtetutën Apostolike “Pastor bonus”. Bën përjashtim Instituti për Veprat Fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.