2015-10-26 14:09:00

Françesku: ta zhdukim luftën, përçudnon lidhjet ndërmjet vëllezërve


Si të krishterë, duhet të angazhohemi për ta zhdukur luftën, për të ndërtuar ura e jo mure. Është thirrja e Papës në audiencën me Kapelanët  ushtarakë, mbledhur në Romë për një kurs të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, organizuar nga Këshilli Papnor “Drejtësi e Paqe”. Papa u bëri thirrje të pranishëmve të kujdesen për ushtarakët, që kthehen nga përvoja e tmerrshme e luftës, ku panë me sytë e tyre skena krimesh, me pasoja jo të lehta mbi shpirtin e çdo njeriu.

Lufta e përçudnon lidhjen ndërmjet vëllezërve, ndërmjet kombeve, kujtoi Ati i Shenjtë, e i përçudnon edhe ata, që ishin dëshmitarë të mizorive. Papa denoncoi barbaritë e luftës dhe kujtoi se ka dëgjuar shpesh, nga shumë ipeshkvij, histori që flasin për plagët e thella, me të cilat rikthehen ushtarët e nisur të bëjnë luftë. Prej këndej, i ftoi kapelanët t’i mjekojnë këto plagë e, sidomos, të japin kontributin e tyre për përhapjen e së drejtës humanitare ndërmjet gjithë ushtarakëve dhe forcave të armatosura, duke përfshirë edhe ato jo shtetërore si dhe personelin e policisë. E, sidomos, të mos pajtohen me idenë se lufta është e pashmangshme:

“… si të krishterë, jemi  thellësisht të bindur se qëllimi i fundmë, më i denji për njeriun dhe për bashkësinë njerëzore, është zhdukja e luftës. Prandaj duhet të angazhohemi gjithnjë për të ndërtuar ura, që bashkojnë e jo mure, që ndajnë. Duhet të kërkojmë edhe mundësi për ndërmjetësim e pajtim e, sidomos, të mos biem në tundimin, që na shtyn ta shikojmë tjetrin thjesht si armik për ta shkatërruar, ndërsa është person me dinjitet të paprekshëm, krijuar nga Zoti sipas shëmbëlltyrës së Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.