2015-10-25 14:52:00

Vdiq kardinali Korec, figurë e ndritur e Kishës së katakombeve


Ndërroi jetë dje, në orën 13.30, në moshën 91 vjeçare, kardinali jezuit Ján Chryzostom Korec, ipeshkëv nderi i Nitrës, në Republikën Sllovake. Ishte figurë tejet e rëndësishme në luftën e Kishës katolike për liri e demokraci në Çekosllovaki, gjatë regjimit komunist. Njoftimin e dha Zyra e shtypit e Konferencës ipeshkvnore sllovake.

I lindur më 22 janar 1924, shuguruar meshtar më 1 tetor 1950, ipeshkëv në klandestinitet, në vitin 1951, kur sapo i kishte mbushur 27 vjet,  më 11 mars 1960 u mbyll në burg, ku kaloi 12 vjet, i dënuar për tradhti të lartë kundër atdheut socialist. Në burg  gjeti 200 meshtarë e 6 ipeshkvij. Me ta, krijoi Kishën e mohuar, Kishën e katakombeve, e cila që nga nëndheu vijoi luftën e  mirë, derisa doli përsëri në dritën e Zotit të vet.

Pas burgimit të gjatë, në vitin 1968, gjatë Pranverës së Pragës, kremtoi për herë të parë Meshën në publik. I rehabilituar në vitin 1969, mori pasaportën për Romë, ku u takua me Palin VI, gjatë një vizite jashtëzakonisht prekëse. Me këtë rast mori edhe shenjat dalluese ipeshkvnore: palion, kryqin, kësulën e unazën, të cilat mundi t’i përdorë publikisht vetëm 18 vjet pas shugurimit ipeshkvnor. Punoi shumë kohë si pastrues plehrash në Bratislavë e si punëtor krahu në industrinë kimike. Rehabilitimi i tij u anulua e atij iu desh të mbyllej përsëri pas hekurave të kryqëzuara. I liruar nga burgu për shkak të shëndetit të lig, vijoi punët, që i kishte ndërprerë për shkak të burgosjes. Kujtojmë se gjatë regjimit komunist, imzoti Korec shuguroi fshehurazi 120 meshtarë, gjak i ri për Kishën katolike, që rënkonte në pranga e që shumëkush mendonte se po shuhej.

U krijua kardinal nga Gjon Pali II, në Koncistorin e 28 qershorit 1991 e për shumë kohë qe kryetar i Konferencës Episkopale slloavke

Është autor i një mori vëllimesh, ndërmjet të cilave “Nata e barbarëve” vepër e njohur në mbarë botën, përkthyer në shumë gjuhë.

Edhe kur u mplak e nuk e kishte më fuqinë e parë, mbeti një nga figurat më autoritare morale të shoqërisë sllovake.  Në vitin 2014, kur mbushi 90 vjeç, postat sllovake  i kushtuan një seri pullash përkujtimore.

Kardinali Korec nuk i përket vetëm popullit sllovak: u përket të gjithë besmitarëve katolikë të Kishës universale, që shikojnë në Të një shembull të shkëlqyer të flijimit të jetës për Krishtin e të disidencës, shpesh të mohuar, të klerit katolik kundër regjimit barbar ateist, që deshi t’ zërë vendin Zotit.

Me vdekjen e  kardinalit Korec, numri i kardinajve të Kolegjit Kardinalor zbret në 218, 118 me të drejtë zgjedhore, 100 pa këtë të drejtë, për shkak të moshës.








All the contents on this site are copyrighted ©.