2015-10-25 13:36:00

Françesku në Engjëllin e Tënzot: Kisha nuk i braktis familjet, as refugjatët


“Familje e familjeve”, në të cilën kush dërsin, nuk ndjehet kurrë i harruar, i përjashtuar, qoftë i varfër, i humbur a refugjat. Ky është populli i Zotit, në fjalët e Françeskut gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, para një turme vigane, mbledhur rreth Tij në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa e tha lutjen menjëherë pas Meshës Shenjte të mbylljes së Sinodit kushtuar familjes, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Kisha, për udhë me familjet dhe refugjatët

Një popull, i përbërë nga familjet, që e çon jetën përpara e nuk përjashton askënd, as të vafërit, as të humburit, as refugjatët në marshim gjatë udhëve të Evropës. Kjo, figura që propozoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar Sinodin e ipeshkvijve, që sapo përfundoi: tri javë, pune intensive, të lodhshme, shpjegoi. Por që do të sjellë, pa dyshim shumë fryte, sepse e frymëzuar nga lutja e nga shpirti i vërtetë i bashkimit. Kisha, shtoi, është vënë për udhë, sepse Sinod do të thotë pikërisht të ecësh së bashku, me familjet e Popullit shenjt të Zotit, përhapur në mbarë botën. Dhe është pikërisht profecia e popullit në shtegtim, e kujtuar këtë të diel, që Papa e krahasoi edhe me pamjet e refugjatëve në marshim udhëve të Evropës e që e quajti “realitet dramatik i kohëve tona”:

“Edhe këto familje tejet të vuajtura, të çrrënjosura nga trojet e tyre, ishin të pranishme me ne, në Sinod, në lutjen tonë, në punimet tona, përmes zërit  të disa prej barinjve të tyre, pjesëmarrës në Asamble. Këta njerëz, në kërkim të dinjitetit, këto familje në kërkim të paqes, mbeten ende me ne. Kisha nuk i braktis, sepse bëjnë pjesë në popullin, që Zoti dëshiron ta çlirojë nga skllavëria e t’i prijë drejt lirisë.

Familje, që e çojnë jetën përpara

Përbri këtij populli, është “Ati ynë”, ëndrra e të cilit, vijoi, Françesku, është pikërisht kjo “ t’i prijë drejt Tokës së lirisë e të paqes:

“Ky popull përbëhet nga familje; në mes të tij janë gruaja shtatzënë e lehona; është popull që, nësa shtegton, e çon përpara jetën, me bekimin e Zotit”.

Përfshirje e të varfërve dhe e të papërkrahurve

Por është edhe popull, që nuk i përjashton të varfërit e të papërkrahurit, madje i përfshin në gjirin e  vet:

“Është familje e familjeve, në të cilën kush dërsin nuk përjashtohet, nuk lihet pas, por ecën hap për hap me të tjerët, sepse ky popull shkel mbi hapin e të fundëmve: ashtu si në familje e ashtu si na mëson Zoti, që u bë i varfër me të varfërit, i vogël me të vegjlit, i fundmi me të fundmit. Nuk e bëri këtë për t’i përjashtuar të pasurit, të mëdhenjtë, të parët, por sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar edhe ata, për t’i shëlbuar të gjithë: për të shkuar me të vegjlit, me të përjashtuarit, me të fundmit.

Përshëndetjet shtegtarëve

Duke iu lutur Virgjërës Mari të ndërmjetësojë për vënien në jetë të udhëzimeve të Sinodit, fryt i bashkimit vëllazëror në Asamblenë Sinodale, Papa, në përshëndetjet përfundimtare kujtoi e falënderoi ‘Hermandad del Señor de los Milagros’ të Romës, që solli me procesion figuren, e cila nderohet në Limë të Perusë dhe kudo jetojnë emigratë peruvianë. Përshëndeti edhe shtegtarët muzikantë austriakë e zviceranë, Shoqatën e vullnetarëve spitalorë “Shën Gjoni i Lagonegro-s”  dhe grupin e dioqezës Oppido Mamertina-Palmi.








All the contents on this site are copyrighted ©.