2015-10-24 19:29:00

Komisioni i Sinodit voton tekstin përfudimtar


Me 24 tetor 2015, pasdite Sinodi kushtuar familjes përfundoi, pas votimit të Relacionit të fundit me 94 pika, hartuar nga dhjetë anëtarë të Komisionit, që e votoi njëzëri e pa asnjë rezervë. Këtë pohoi atë Federico Lombardi në Sallën vatikanase të Shtypit, gjatë takimit të zakonshëm, në të cilin morën pjesë, së bashku me drejtorin, kardinali Damasceno Assis, ipeshkëv i Aparesidës dhe zevendës-kryetar i Asamblesë sinodale; kardinali Schönborn, kryeipeshkëv i Vjenës dhe vëllai Hervé Janson, epror i përgjithshëm i Vëllezërve të vegjël të Jezusit.

Tekst i votuar njëzëri nga Komisioni, pa asnjë rezervë: ky është mesazhi domethënës. Atë Federico Lombardi, gjatë takimit të zakonshëm me gazetarët, citoi diskutimin e mbajtur nga kardinali Erdö, menjëherë pas leximit të tri pjesëve të tekstit të Etërve sinodalë, që më pas e votuan dokumentin, saktësoi atë Lombardi:

“Bënë një punë, që kush e shikon sonte të botuar, e vëren menjëherë se është e pabesueshme, në krahasim me Instrumentum laboris; u realizua një dokument me 94 pika, që u votua sot pasdite një për një nga asambleja, pasi u lexuan plotësisht paradite, gjë që ishte e nevojshme, sepse ekziston vetëm teksti përfundimtar në italisht, ndërsa leximi krijonte mundësinë të bëheshin shpjegime në disa gjuhë, nga persona të besueshëm, e kështu etërit mundën ta dëgjojnë përmes përkthimit të njëkohshëm, gjithë tekstin”.

Komisioni i të dhjetëve, i ngarkuar me hartimin e Relacionit përfundimtar, shpjegoi atë Lombardi, u mblodh dje për t’i vlerësuar e për t’i studiuar 248 vërejtjet e bëra, pas leximit dhe diskutimit të dokumentit.

Sinodi u mbajt në një klimë shumë vëllazërore, theksoi kardinali brazilian Damasceno Assis, me pjesëmarrje të gjerë të të gjithëve, mundësi që u krijua përmes një metodologjie të ndryshme, nga ajo e së kaluarës: iu kushtua vëmendje e veçantë 13 grupeve të vogla gjuhësore, gjë që krijoi mundësitë për shkëmbimin e vërtetë të mendimeve ndërmjet Etërve sinodalë, në një atmosferë lirie të plotë, në të cilën të gjithë mundën ta marrin fjalën për të shprehur mendimet e tyre.

Përmes këtij dialogu e këtij dëgjimi, vijoi kardinali brazilian, u përpoqën të gjejnë mënyrën për të arritur në përfundimet me frymën e bashkimit, që e karakterizoi edhe mbylljen e këtij Sinodi. Sinodi nuk është parlament - citoi Atin e Shenjtë – nuk diskutohet këtu kush do të fitojë e kush do të humbasë; këtu bëhen përpjekje për të kuptuar çfarë kërkon Zoti për familjen në botën e sotme e për të gjetur edhe mënyrën më të mirë për t’i  ndihmuar e për t’i shoqëruar familjet, për t’i ndihmuar t’i pranojnë sfidat, e është pikërish kjo punë, që ne do t’ia dorëzojmë Papës.

Për rëndësinë e metodologjisë së re foli edhe kardinali austriak Schönborn, që e quajti “fitore e madhe të këtij Sinodi” e që, më pas, i ftoi gazetarët të mos e zhvleftësojnë mesazhin e Sinodit, thelbin e të cilit kardinali vjenez e pohoi me forcë:

“Suksesi i këtij Sinodi për mua është një ‘po’ e madhe për familjen. Tregon se familja nuk është e tejkaluar, nuk është model i së kaluarës, është, do të thosha, realiteti më themelor i shoqërisë njerëzore”.

Në kohë të vështira, nuk ka rrjet më të sigurt se familja, edhe kur është e plagosur, theksoi kardinali Schönborn, që nënvizoi edhe një pikë tjetër: sinodalitetin e madh të shprehur nga asambleja, që pasqyrohet në dokument. Sqaroi, më pas, se tema e homoseksualitetit u shpreh në dokument në këndvështrimin sesi duhen përballuar nga të krishterët situata të tilla, nëse do t’i vërejnë në familjet e tyre. Temë delikate, shtoi:

“Shumë thanë - mund t’i përfytyroni zonat kulturore, politike, në të cilat tema është tejet delikate - se lënia jashtë, nuk do të thotë që në zona si Evropa, Amerika e veriut e në ndonjë tjetër, kjo nuk është temë për Kishën, por në nivelin e sinodalitetit universal duhet respektuar larmia e situatave politike e kulturore”.

Lidhur me të divorcuarit e rimartuar, tha më pas, fjala kyçe është  dallim i rasteve të ndryshme, një për një, sepse edhe situatat janë të ndryshme. Dokumenti, prandaj, nuk e prek çështjen në mënyrë të drejtpërdrejtë, por anësore. Pritja për një ‘po’ ose ‘jo’, është e rreme, sepse situatat janë aq të ndryshme, saqë kërkojnë patjetër dallimin rasteve të ndryshme. Dokumenti përfundimtar jep edhe kriteret për këtë dallim si dhe për shoqërimin në situata, që katekizmi i quan të parregullta:

“Në tërësinë e mesazhit të Sinodit është vetë familja, pohimi i plotë i saj”.

Për vëllain Hervé, një nga lajmet e mëdha të këtij Sinodi ishte pohimi se Kisha nuk përjashton askënd. Veç kësaj, u nënvizua se familjet nuk janë  vetëm objekt, por edhe subjekt baritor, gjë që i ngarkon me përgjegjësi të madhe. Mesazhi, që theksohet në dokumentin përfundimtar, është mëshira.

Të ndryshme, pyetjet e bëra nga relatorët. Lidhur me decentralizimin e Kishës, si kardinali Schönborn ashtu edhe kardinali Assis, pohuan se kjo nuk do të thotë të nacionalizohet ose të kontinentalizohet Kisha katolike. Bashkimi me Papën është i vazhdueshëm e kjo është themelore, sepse Papa është koka e Kolegjit Ipeshkvnor, por, sipas parimit të ndihmës, ka rëndësi që edhe konferencat ipeshkvnore të mund të kenë kompetencat e veta, duke respektuar ndryshimet ndërmjet tyre. Rreth përkufizimit të familjes, kardinali Schönborn pohoi se “familja është e përbërë nga një burrë e një grua, besnikë, që i hapin udhën jetës”; përkufizimi biblik nuk i përjashton situatat e ripërbërjes së familjes, nënvizoi, por “burri, gruaja dhe hapja ndaj jetës”, është i vetmi përkufizim për familjen. Dokumenti, thanë në vijim relatorët, i kushton vëmendje edhe familjeve në situata të vështira, emigrantëve, të varfërve, fëmijëve të rrugës, si dhe situatave të tjera, që duhen përballuar.

Lexohet, pastaj, një mesazh inkurajimi për gjithë të rinjtë, që sot zgjedhin rrugën të mos martohen, nga frika, nga mungesa e punës, nga vështirësitë që krijon formimi i familjes. Në dokument i bëhet thirrje edhe politikës, që t’i kryejë detyrat e veta, ta ndihmojë familjen në të gjitha këndvështrimet. Posaçërisht përsa i përket Afrikës dhe vendeve emergjente, që protestojnë kundër efektit të kombinimit të qëllimeve ideologjike me atë të ndihmave financiare, u theksua se Institucionet ndërkombëtare nuk mund të imponojnë politika familjare, duke i  kushtëzuar dhënien e kredive, financimet dhe ndihmat financiare, me pranimin e tyre. Thirrje u bëhet edhe shoqatave familjare, që ta ndihmojnë familjen të mos mbyllet në vetvete, por të marrë pjesë në jetën e shoqërisë, që kështu t’i dëgjohet zëri në debatin politik.








All the contents on this site are copyrighted ©.