2015-10-23 18:56:00

“Shqipëria në Arkivin e Propaganda Fide-s”: konferencë në Romë


“Shqipëria në Arkivin e Propaganda Fide-s”: është kjo tema e konferencës ndërkombëtare, që do të mbahet të hënën e të martën, në Universitetin Papnor Urbanian. Në dy ditë, më 26 e 27 tetor, studiues shqiptarë, arbëreshë, arbanas të Zarës, italianë, gjermanë, do të vënë në dukje aspekte të ndryshme të marrëdhënieve të këtij institucioni të rëndësishëm me vendin e shqipeve. Kjo veprimtari mbahet në kuadrin e përgatitjeve për kremtimin e 400-vjetorit të themelimit të “Propaganda Fide”-s.

Kongregata e Propaganda Fide-s (sot Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve) e ka zanafillën nga Bula e Papës Gregori XV, “Inscrutabili Divinae” e 22 qershorit të vitit 1622. Misioni i saj ishte dhe është të çojë Ungjillin në të gjithë botën. Në vitin 1626 u ngrit tipografia historike e këtij institucioni, quajtur “Polyglotta”, një nga më modernet e kohës, në gjendje të shtypte libra në të gjitha gjuhët, që përdoreshin në vendet, ku ekzistonin misione katolike.

Në vitin 1627, Papa Urbani VIII themeloi Ateneun Papnor “de Propaganda Fide”, ku studiuan gjatë shekujve të rinj ardhur nga tokat e misionit. Që nga fillimet e saj, Propaganda mirëpriti edhe të rinj nga Shqipëria e për vite me radhë kontribuoi në përhapjen dhe ruajtjen e fesë së krishterë në Dalmaci e në Ballkan. Së bashku me detyrën e ungjillëzimit, gjatë pushtimit otoman, misionarët e institucionit e ndihmuan popullin shqiptar të ruante identitetin kombëtar dhe përkatësinë perëndimore. Në Arkivin historik të Propaganda Fide-s gjenden dokumente të çmuara, që dëshmojnë veprën e Kishës Katolike në Shqipëri, të dobishme si burim i parë për historiografinë shqiptare.

Ndër figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar, që kanë studiuar në Ateneun e këtij institucioni, mund të numërojmë Frang Bardhin dhe Pjetër Bogdanin. Nga shtypshkronja “Polyglotta” dolën gjatë shekujve, vepra themelore për historinë, gjuhën dhe letërsinë shqipe, si: “Dictionarium latino-epiroticum” (1635) i Frang Bardhit; “Dottrina Christiana” (1636) e Pjetër Budit; “Concilium Albanum” (1706), “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese” (1716) i Francesco Maria da Lecce.

Gjatë konferencës do të përurohet edhe ekspozita “Fe e pikturë” e artistit të njohur Lin Delija dhe do të paraqiten librat “Kontribut në historinë kishtare të Shqipërisë. Shekujt XVII-XIX” dhe “Koncili II dhe III kombëtar shqiptar”, të dyja të botuara nga Biblioteka Françeskane e Shkodrës, gjatë këtij viti. 








All the contents on this site are copyrighted ©.