2015-10-23 16:37:00

Sinodi drejt relacionit përfundimtar, por nuk jepen të gjitha përgjigjet


Në “Relatio synodi”, që nuk i drejtohet botës, por Papës, i cili pastaj, do të vendosë ç’do të bëjë”, komisioni u përpoq t’i paraqesë të gjitha çështjet, që dolën në asamble, por pa dhënë edhe të gjitha përgjigjet. “Ky Sinod nuk e prek dokrinën”.

Nesër, votimi për relacionin përfundimtar

Relacioni, që u hartua nga një komision i posaçëm, i cili përmblodhi ndreqjet e tekstit bazë (Instrumentum laboris), hartuar gjatë tri javëve të punës nga grupet gjuhësore (circuli minores), iu dorëzua sot etërve sinodalë e, pas diskutimit të paradites, në mbrëmje, do të vlerësohet nga vetë komisioni.

Në relatio synodi, drejtuar “jo botës”, por Papës, “komisioni synoi t’i paraqesë të gjitha çështjet, që dolën në asamble, por pa dhënë edhe të gjitha përgjigjet”. Këtë theksoi, paraprakisht, gjatë një takimi, kardinali Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Bombay-t, kryetar i Konferencës ipeshkvnore indiane e anëtar i komisionit të të dhjetëve, që punuan  për ta hartuar tekstin përfundimtar i cili, siguroi prelati, nuk e prek doktrinën. Ndërsa, nga ana tjetër, nuk do të kufizohet duke përsëritur Familiaris consortio, botuar nga Gjon Pali II në vitin, tashmë të largët, 1981.

Kardinali Gracias kujtoi punën për hartimin e relacionit përfundimtar, duke shpjeguar se komisioni i shqyrtoi dhe i seleksionoi 7-800  korrigjimet  e bëra nga grupet e vogla e duke arritur, mëpas, në hartimin e një dokumenti me rreth njëqind paragrafe.

Për shkak të mungesës së kohës, komisioni u nda në tre grupe. Puna, më pas, iu dorëzua një grupi shumëgjuhësh të sekretarisë së Sinodit, që hartoi një tekst, i cili u shqyrtua nga komisioni dhe u miratua njëzëri. Ky tekst iu dorëzua etërve sinodalë në takimin përfundimtar të djeshëm, pasi u pajis me një hyrje nga sekretari i Sinodit, kardinali Lorenzo Baldisseri dhe një shënim të shkurtër nga kardinali relator, Peter Erdë. Etërit sinodalë e lexuan mbrëmë e boca vijoi të diskutohej, pastaj, në takimin e paradites së sotme.

Komisioni, së fundi, do të bëjë modifikimet e mbrame dhe nesër, e shtunë, do të votohet paragraf për paragraf, e, ka shumë mundësi, të votohet edhe teksti përfundimtar.

Në hartimin e bocës përfundimtare, komisioni, sipas orientimit të asamblesë,  ndoqi kriterin e përjashtimit të përsëritjeve e të hartimit të një teksti, që nuk i drejtohet botës, por paraqitet në trajtën e një reflektimi nga ana e Sinodit drejtuar Atit të Shenjtë, i cili, pastaj, do të vendosë vetë ç’duhet bërë me të”.

Kardinali Gracias nuk foli fare për përmbajtjen e dokumentit, e as hyri në hollësitë e disa çështjeve të diskutueshme, si kungimi i të divorcuarve të rimartuar: “Nuk e prekim doktrinën, ky Sinod nuk e prek doktrinën, teksti do të japë drejtimet e përgjithshme, nuk do të hyjë në pika tepër të veçanta. Do t’ia dorëzojmë dokumentin Papës, duke pritur, pastaj, nga ai, vijat drejtuese mbi tematikat e ndryshme të  shqyrtuara në asamble”, kujtoi.

Relacioni përfundimtar do të jetë, kështu, tekst, që nuk i ka të gjitha përgjigjet, ndërsa i ka të gjitha pyetjet e diskutuara dhe synon të japë drejtime baritore të pranueshme nga të gjithë, duke shpresuar se edhe vetë dokumenti do të pranohet  në votimin e nesërm.

Kuptohet se gjatë diskutimeve dolën edhe opinione të ndryshme mbi disa çështje, për të cilat vijohet të kërkohen përgjigje. Mbi çështjen e Kungimit për të divorcuarit e rimartuar, për shembull, për të cilën një grup i gjuhës gjermane nënvizoi se bëhet fjalë për rrugëzgjidhje të mundshme, por që duhen studiuar e duhen thelluar akoma në disa këndvështrime.

Sinodi, më në përgjithësi, është përvojë e bukur, ku secili respekton idetë e tjetrit, të gjithë duan t’i ndihmojnë familjet, ndonëse, thënë sinqerisht, nuk ka rrugëzgjidhje për gjithçka. Sidoqoftë, u fol për problemet që duhen përballuar e duhen studiuar, me sigurinë se do të gjindet rruga për të ecur përpara.

Natyrisht në krahasim me vitin 1981, kur Gjon Pali II botoi Familiaris consortio, kanë lindur sfida të reja për familjen e, ndërsa doktrina mbetet e njëjtë e të gjithë e konsiderojnë, për shembull, pazgjdhshmërinë e martesës, dhuratë të madhe të Zotit, kërkohen udhë të reja për t’i ndihmuar familjet, në një klimë të re sociologjike, politike, ekonomike, ideologjike.

Sinodi, që do ta citojë dokumentin e vitit 1981, nuk do të kufizohet ta përsërisë Familiaris consortio.

Papa, kujtoi kardinali Gracias, e vizitoi për 7-8 minuta komisionin në fillim të punimeve, e falënderoi për punën e bërë, e inkurajoi dhe nënvizoi rëndësinë e Sinodit  kushtuar familjes si dhe relacionin, në përfundim të tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.