2015-10-23 14:36:00

Përkujtimi i lindjes së Atë Gjergj Fishtës në Zadrimë.


Me kremtimin e Meshës dhe mbajtjen e një koncerti, në fshatin Fishtë të Zadrimës, u përkujtua përvjetori i lindjes së françeskanit e poetit të madh të kombit shqiptar, Atë Gjergj Fishës. Mesha e cemeronia përkujtimore u organizuan nga ipeshkvi i Sapës e Kustodia e Françeskanëve të Shqipërisë.

Më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

Sot në fshatin Fishtë të Zadrimës është përkujtuar përvjetori i lindjes së të madhit Atë Gjergj Fishta

Sot në fshatin Fishtë të Zadrimës është përkujtuar përvjetori i lindjes së të madhit Atë Gjergj Fishta. Në nder të jetës dhe veprës së tij, imzot Lucjan Avgustini kremtoi Meshën shenjte në vendlindjen e poetit, në kishën Zoja e Engjëjve në Fishtë, me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve, famullitarit Atë Sokol Pepushaj, zv. Kustodi i Kustodies Françeskane Shqiptare Atë Mirash Marinaj, përfaqësues të pushtetit vendor, të arsimit e kulturës etj.

Pas leximit dhe komentimit të Fjalës së Zotit, në homelinë e rastit, ipeshkvi Avgustini u ndal edhe në veprimtarinë e madhe të Atë Gjergj Fishtës, e cila ishte shumëdimensionale: fetare, kulturore, kombëtare dhe patriotike. Ai ishte predikatar i ungjillit, shkrimtar, unifikues i alfabetit të gjuhës tonë të ëmbël shqipe, organizator dhe veprimtar i çështjeve jetike për kombin dhe atdheun tonë, si dhe pjesëmarrës në kongrese vendimtare për fatin e vendit tonë. Duke vazhduar më tej, ipeshkvi solli në kujtim fjalët e të ndjerit Imzot Zef Simoni, i cili pati thënë për Atë Gjergjin se ishte “i dashtun, i rreptë, i fuqishëm, mendimtar, i gojës, i zemrës, energjik, i shiut të butë dhe i reve të zeza, i rrufeve dhe i bubullimave, i qiellit të kaltër në hapësirat shqiptare, i pavdekshëm edhe mbas vdekjes, monument në varr edhe kur eshtrat e tij janë të tretura”. Bariu i Sapës e përfundoi fjalën e rastit duke thënë: Faleminderit Atë Gjergji; kujtimi dhe porosia e jote mbeteshin gjithmonë në mendjet e zemrat tona për t’u angazhuar për të mirën e shpirtit, të kombit dhe të vendit tonë.

Kjo ditë e shënuar për Atë Gjergj Fishtën, mori nuanca festive nëpërmjet Koncerti të përgatitur enkas për këtë rast nga shoqëria Françeskane “Ilirikum” dhe shkolla “Atë Shtjefen Gjeçovi”. Ky koncert pati një shfaqje mjaft dinjitoze ku u recituan edhe vargjet e mrekullueshme të kolosit shqiptar Atë Gjergj Fishta, i cili gjithë jetën i shërbeu Krishtit dhe atdheut shqiptar, ndërsa vepra e tij ishte ungjill i shenjtë atdhetarie. 








All the contents on this site are copyrighted ©.