2015-10-23 13:50:00

Papa: të krishterët t’i lexojnë shenjat e kohëve e të ndryshojnë, besnikë ndaj Ungjillit


“Kohët ndryshojnë e edhe ne, të krishterët, duhet të ndryshojmë vazhdimisht”, me lirinë e në vërtetësinë e fesë. Është pohimi i Papës gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku reflektoi për vlerësimin e shenjave të kohëve nga ana e Kishës, pa rënë në komoditetin e konformizmit, por duke u frymëzuar nga lutja.

Kohët bëjnë punën e vet: ndryshojnë. Të krishterët duhet të bëjnë atë, që dëshiron Krishti: t’i vlerësojnë kohët e të ndryshojnë, njëherësh me to, duke mbetur gjithnjë “të patundur në të vërtetat e Ungjillit”. Çka nuk duhet pranuar, është konformizmi i qetë që, në të vërtetë, të bën të rrish duarkryq, të bën të palëvizshëm.

Urtia e krishterë

Papa kishte parasysh një fragment të ri të Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve, që e nxiti të kujtojë Apostullin e Popujve dhe predikimin e tij, me gjithë forcën e me gjithë lirinë, që na shpëtoi nga mëkati. Por kishte edhe faqen ungjillore, në të cilën Jezusi  flet për “shenjat e kohëve”, duke i quajtur hipokritë ata, që dinë t’i kuptojnë, por nuk bëjnë të njëjtën gjë me kohën e Birit të Njeriut. Zoti na krijoi të lirë  e, për ta pasur këtë liri, pohoi Papa, duhet t’ia hapim zemrat forcës së Shpirtit Shenjt e ta kuptojmë mirë çka po ndodh brenda e jashtë nesh. Gjithnjë duke shtënë në punë forcën e gjykimit:

“E kemi këtë liri ta gjykojmë atë, që ndodh përjashta nesh. Por, për ta gjykuar, duhet ta njohim mirë. E si mund të bëhet kjo? Si mund të bëhet kjo, që Kisha e quan ‘të njohësh a të dallosh shenjat e kohëve’? Kohët ndryshojnë. E i takon pikërisht urtisë së krishterë t’i dallojë këto ndryshime, t’i njohë kohët e ndryshme e t’i njohë, sidomos, shjenjat e tyre. Të dallojë ç’do të thotë një gjë e ç’do të thotë një tjetër. E ta bëjë këtë pa frikë, me liri të plotë”.

Heshtje, reflektim, lutje

Françesku e pranon se nuk është gjë e lehtë; pranon se kushtëzimet e jashtme janë të panumërta, se ndikojnë fuqimisht edhe mbi të krishterët, duke i nxitur disa prej tyre në rrugën më të rehatshme, atë të mosveprimit. I nxitin të mos bëjnë asgjë, duke shtënë në punë gjithfarë shfajësimesh:

“Kjo është një punë, që ne zakonisht nuk e bëjmë: kështu i përshtatemi rrethanave, duke e qetësuar veten me shprehjet: ‘më kanë thënë… e kam dëgjuar… njerëzia thonë… e kam lexuar diku, po nuk e di se ku…’. Kështu ndjehen krejt të qetë… Po cila është e vërteta? Ç’mesazh dëshiron të më japë Zoti me këtë shenjë të kohëve? Për t’i kuptuar shenjat e kohëve, para së gjithash, është e nevojshme heshtja; të heshtësh e të vëresh. E pastaj të reflektosh brenda vetes. Një shembull: pse ka kaq shumë luftëra sot? Pse ndodhi diçka? E të lutemi… Heshtje, reflektim, lutje”.

Vetëm kështu mund t’i kuptojmë shenjat e kohëve, mund ta marrim vesh mirë ç’dëshiron të na thotë Jezusi!

Të lirë në të vërtetën e Ungjillit

E t’i kuptosh shenjat e kohëve nuk është punë, që i takon vetëm një elite kulturore. Jezusi, kujtoi Papa, nuk thotë: “Shikoni si bëjnë universitarët, shikoni si bëjnë doktorët, shikoni si bëjnë intelektualët…”. Jezusi, nënvizoi Françesku, flet për katundarët që, në thjeshtësinë e tyre, dinë mirë ta dallojnë grurin nga egjra:

“Kohët ndryshojnë e edhe ne, të krishterët, duhet të ndryshojmë vazhdimisht. Duhet të ndryshojmë, të patundur në besimin në Krishtin, të patundur në të vërtetën e Ungjillit, por sjellja jonë duhet të lëvizë gjithnjë sipas shenjave të kohëve. Jemi të lirë! Të lirë për dhuratën e lirisë, që na e bëri Jezu Krishti. Por puna jonë është ta vërejmë mirë atë, që ndodh brenda nesh, të dallojmë ndjenjat tona, mendimet tona: e edhe ç’ndodh jashtë nesh. E t’i dallojmë shenjat e kohëve. Me heshtje, reflektim, lutje!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.