2015-10-23 17:06:00

Një laike rumune në Sinod: jo ideologjive, që ripërkufizojnë njeriun dhe familjen


Ne laikët u kërkojmë barinjve të Kishës ta shpallin me forcë të re Ungjillin, pa rënë në kompromise me frymën e kësaj bote. Është thirrja e fuqishme e mjekes rumune Anca Maria Cernea në Sinodin e Ipeshkvijve për Familjen, që përfundon të dielën në Vatikan. E ftuar në Sinod si përfaqësuese e Shoqatës së Mjekëve Katolikë të Bukureshtit, ajo solli para Etërve sinodalë dëshminë e saj prekëse. Foli siç do të fliste edhe një shqiptar, që ndan me rumunen të njëjtën histori jete, tepër të ngjashme ndër të gjithë banorët e Evropës Lindore, që kanë kaluar nëpër “kudhrën e hekurt të proletariatit”. Për këtë arsye, ia drejtuam mikrofonin:

         Im atë ishte lider politik i krishterë, që u burgos nga komunistët për 17 vjet. Prindërit e mi ishin të fejuar, do të martoheshin… por martesa u bë 17 vjet më vonë. Ime më e priti tim atë gjithë ato vite, megjithëse nuk e dinte as nëse ishte gjallë. I mbetën heroikisht besnikë premtimit të tyre. Ky shembull tregon se me Hirin e Tënzot mund të kapërcehen vështirësi të tmerrshme e varfëri materiale. Shembulli i tyre është burim frymëzimi dhe kthimi në udhën e Zotit për shumë vetë në Rumani. Mendoj se nëse ime më do të kishte ndjekur botën – e jo Jezusin dhe mësimet e Kishës – do të ishte martuar me një tjetër; nëse im atë do të kishte ndjekur botën, ndoshta, do të ishte bërë anëtar i Partisë Komuniste.

         Në ndërhyrjen tuaj në Sinod ju e sollët këtë dëshmi. Thatë edhe se vërtet që marksizmi klasik i takon tashmë historisë, por akoma ekziston rreziku nga ai, që e quajtët “marksizëm kulturor”…

         Po, si mjekë katolikë mbrojmë jetën dhe familjen. Mund ta shohim qartë se kjo është, para së gjithash, betejë shpirtërore dhe se varfëria materiale e konsumizmi nuk janë shkaktarët kryesore të krizës në familje: shkaku kryesor i revolucionit seksual dhe kulturor është ideologjik. Zoja e Fatimës pati thënë se Rusia do t’i përhapte gabimet e saj në të gjithë botën: kjo ndodhi, fillimisht, me dhunë, me marksizmin klasik, i cili vrau dhjetra miliona vetë, ndërsa tani, ndodh sidomos përmes marksizmit kulturor. Ka vazhdimësi nga revolucioni seksual i Leninit, duke kaluar përmes Gramshit e Shkollës së Frankfurtit e deri në të drejtat e sotme të homoseksualëve e në ideologjinë gjinore(gender). Marksizmi klasik pretendonte ta ndryshonte shoqërinë përmes përvetësimit të dhunshëm të pasurisë, por tani, revolucioni shkon edhe më thellë: pretendon të ripërkufizojë familjen, identitetin seksual, natyrën njerëzore. E quan veten progresist, por nuk është tjetër, përveçse gnostik. Është rebelim kundër Zotit, jo vetëm me pretendimin për të krijuar një shoqëri të përsosur këtu në tokë, por edhe për të korregjuar madje, natyrën dhe krijimin e Zotit.

         Ju u kërkuat Etërve sinodalë të flasin për besnikëri, pa i lëshuar pe frymës së kësaj bote, pra, pa kompromise…

         Kisha ka luftuar kundër formave të ndryshme të gabimeve gnostike gjatë historisë së saj: “Kërkoni më parë Mbretërinë e Hyjit dhe drejtësinë e Tij – ka thënë Jezusi – e të gjitha të tjerat do t’u jepen shtesë”. Misioni i Kishës është të shpëtojë shpirtrat. E keqja në këtë botë vjen nga mëkati. E zgjidhja është kthimi në udhën e Zotit, ungjillëzimi. Liria e vërtetë është çlirimi nga mëkati. Bota sot ka nevojë më tepër se kurrë jo për kufizimin e lirisë, por për lirinë e vërtetë, për çlirimin nga mëkati, për shëlbimin. Kjo nuk arrihet me formimin e një qeverie botërore. Ky Sinod duhet ta quajë mëkatin me emrin e vet të vërtetë. Kush tha se të jetosh Ungjillin është e lehtë: Ungjilli është kërkues. Nuk ka mëshirë pa të vërtetën. Kisha duhet të mbrojë të vërtetën, pa asnjë kompromis me frymën e kësaj bote. Nëse e “hollojmë” të vërtetën, e tradhtojmë Atë, që na ka thënë “Unë jam e Vërteta”.

         Ju përmendët shembullin e 12 ipeshkvijve rumunë, besnikë të Krishtit, pavarësisht nga persekutimi. Prandaj është e rëndësishme dëshmia e tyre sot, sipas jush?

         Asnjëri nga 12 ipeshkvijtë tanë nuk e tradhtoi bashkimin me Atin e Shenjtë. Kisha jonë mbijetoi falë vendosmërisë dhe shembullit të ipeshkvijve, që i rezistuan burgut e terrorit. Ipeshkvijtë i kërkuan bashkësisë të mos e ndiqte botën, të mos bashkëpunonte me komunistët…








All the contents on this site are copyrighted ©.