2015-10-23 12:47:00

Më 23 tetor kalendari kujton Shën Gjon Kapestranin


Gjon Kapestrani ishte 70 vjeç kur, më 1456, u ndodh para portave të Beogradit të kërcënuar nga ushtria turke. Ishte aty për t'u dhënë zemër trupave të krishtera, i armatosur vetëm me rruzaren shenjte e me zërin e tij bubullues: "Si duke ecur përpara, ashtu edhe duke u tërhequr, si duke sulmuar ashtu edhe kur t'ju sulmojnë - bërtiste - thirreni gjithnjë emrin e Jezusit!".

Ky ishte frymëzimi fetar i këtij luftëtari të fesë, sot Pajtor i kapelanëve ushtarakë, i cili gjithnjë dha mësime me shembull më parë sesa me fjalë, edhe atëherë kur iu desh të vinte jetën në rrezik. Sypatrembur, ai luftoi me të njëjtin guxim kundër padrejtësive, herezive e kundër plagës së tmerrshme të fajdesë.

I lindur në Kapestran, ndërmjet maleve të Gurit të Madh në Itali, më 1386, djalë i një baroni gjerman e i një gruaje fisnike abruceze, Gjoni, bir i vërtetë i Evropës, do ta përshkonte kryq e tërthor Kontinentin për t'i shërbyer papës e për të çuar kudo mesazhin e tij të fesë: nga Italia, në Francë; nga Gjermania në Hungari, nga Polonia në Ballkan.

E sot, në përkujtim të vjetorit të vdekjes së Shenjtit, në Kapestran të Italisë e në Hungari u përkujtua solemnisht fitorja e ushtrive të krishtera, të udhëhequra nga Gjon Huniadi e të frymëzuara nga Shën Gjon Kapestrani në betejën e Beogradit, ku u ndal hovi i hordhive osmane drejt Evropës.








All the contents on this site are copyrighted ©.