2015-10-23 18:27:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30 gjatë vitit 'B'


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 30-të gjatë vitit kishtare, sipas kalendarit liturgjik

Shërimi i të verbit të Jerihonit nga Jezusi bëhet një shenjë për të gjithë ne: dhe vërtetë është ndriçim për dishepullin që është “shpëtuar” nga feja e që pastaj ndjek pas Krishtin. Edhe ne, me pagëzim, kemi qenë të “shndritur”; tani me dhuratën e fesë (jemi të aftë e në gjendej ta shohim Hyjin në sakramente, në vëllezër e në jetën e përditshme.

Shërimi i të verbrit nga Jerihoni ka vlerë simbolike (Ungjilli); nxit në ne reflektimin, na nxit të lutemi e mbështet orvatjet tona për të braktisur terrin e për të ecur në dritën e Zotit. Jeremia profet ( I Lexim) tregon nxitjen e Hyjit për popullin e Izraelit të mërguar në Babiloni: Hyji do t’i prijë popullit drejt tokës së premtuar etërve. Mësimi për ne të krishterët është i qartë; kush beson dhe mbështetet në Zotin, edhe në natën më të errët do ta sheh dritën, që sjell gëzimin e shpresën. Meshtaria e Krishtit është tema mbi të cilën reflekton autori i Letrës së Hebrenjve ( II Lexim): duke qenë njeri i vërtet e Bir i Hyjit, Jezusi i ka në vetvete në një mënyrë të madhërishme të gjitha tiparet e cilësitë e meshtarit të vërtetë. I dërguar nga Ati Qiellor për të davaritur errësitë dhe për të shndritur udhën, ai është ndërmjetësues i përsosur ndërmjet brishtësisë sonë njerëzore dhe madhështisë së Hyjit.

Marku ungjilltar na tregon shërimin e Bartimeut, që ndodhi pak para se Jezusi të ngjitej në Jerusalem për t’u arrestuar, dënuar e vënë në vdekje. Pasi e fitoi pamjen e syve, i verbri e ndjek Jezusin në udhën që e çon drejt vdekjes. Vetëm Krishti, dritë e botës, mund të ofrojë përgjigjen e qartë e të sigurt ndaj shumë pikëpyetjeve që na mundojnë edhe në këtë tonë në të cilën jetojmë.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu......

                                                Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Jer 31, 7-9

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj t’ju kumtoj zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që do lindë: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Do të vijnë duke vajtuar prej mallit, do t’i kthej duke u lutur, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.” Fjala e Zotit.

Psalmi 126

Punë të mëdha bëri Zoti për ne

----------

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

----------

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

----------

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

----------

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

----------

Leximi i dytë Heb 5, 1-6

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve, dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni.

Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda”- sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.” Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 10, 46-53

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbrit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.

Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigj i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.  Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.