2015-10-23 11:25:00

Shenjtorët javës më 26 tetor – 1 nëntor


E diel 26 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 26 tetor kalendari kishtar përkujton shën Gaudencin e të Lumin Karlo Gnocchi-n

Të hënën më 26 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Dhimitrin, martir. Në festën e tij Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.

Të martën më 27 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë. Liturgjia e ditës na kujton se kush e kërkon Zotin, do të shikojë shëlbimin që vjen prej tij.

Të mërkurën më 28 tetor, sipas kalendarit kishtar përkujton shenjtorët Simonin e Juda Tadeun, Apostuj. Zëri i të tyre u përhap në mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit.

Të enjten më 29 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës. Në këtë ditë liturgjia na kujton sa të mëdha janë veprat e Zotit e na fton t’i kundrojmë në jetën tonë të përditshme

Të premten më 30 tetor, kalendari përkujton shën Gjermanin, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në udhën dhe dritën e Zotit.

Të shtunën më 31 tetor, kalendari përkujton shën Alfonsin Rodriguez, jezuit. La trashëgim shkrimet, në të cilat shpreh besimin e tij të thellë e pa kushte në Hyjin. Shkruan Shenjti: “Ah, o Zot, po të dija e po të mundja, do të të shërbeja si të shërbejnë të gjitha krijesat e qiellit e të tokës të marra së bashku”.

Të dielën e ardhshme më 1 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të festën e Të Gjithë Shenjtorëve. Kjo festë na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.








All the contents on this site are copyrighted ©.