2015-10-22 11:46:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: familja, shkollë shoqërie


Historia e dashurisë së një familjeje të hapur për botën shihet mirë edhe nga jashtë, prandaj i shërben shoqërisë. Sidomos kur kjo histori është e bukur, që brenda mureve shtëpiake, krijohen kushtet për të bërë hapin e parë drejt shoqërisë. Të dashur dëgjues, pikërisht kur Sinodi i Ipeshkvijve po harton Relacionin përfundimtar, pasi përfundoi së reflektuari për misionin e familjes në shoqëri, edhe ne menduam të themi dy fjalë për këtë.

         Karizma e parë e çiftit, dhurata e parë, që Zoti u bën bashkëshortëve, është pikërisht fakti se i bashkon: dy vetë kthehen në “një gjë të vetme”. Kur bashkimi i çiftit dhe marrëdhëniet familjare jetohen me vetëdijen se jemi bij të të njëjtit Atë Qiellor, i dërgohet shoqërisë një mesazh vëllazërimi. Nga këto marrëdhënie të mira ndërmjet bashkëshortëve, karakterizuar nga respekti e ëmbëlsia, rrjedh edhe qëndrimi vëllazëror ndaj të tjerëve në marrëdhëniet e ndryshme jashtë familjes.

         Gjithçka është e lidhur me këtë, në linjën e nevojave më urgjente të njeriut të sotëm, problemet e të cilit rrjedhin nga mënyra si jetohen marrëdhëniet njerëzore. Raportet ndërpersonale në shoqërinë e sotme janë shpesh formale dhe të maskuara nga çinteresimi. Tjetri nuk më përket, prandaj bëj sikur nuk e shoh. Kjo i bën njerëzit të ndihen keq në shoqëri. Kemi nevojë urgjente t’i humanizojmë marrëdhëniet, duke vënë në bazën e tyre vëllazërimin falas e pa interes, por edhe plot pasion. Është punë, që fillon në familje.

         Çiftit i takon ta jetojë historinë e vet të vogël bashkëshortore, duke ecur në shtratin e historisë së madhe njerëzore. Çdo bashkëshort, çdo bërthamë familjare ndikon në historinë e kohës së vet, vetëm nëse injekton limfën jetësore të vëllazërimit në mënyrën e përjetimit të marrëdhënieve, por me kujdes e pa rreptësi të tepruar.

         Nuk mund t’i duam e të impenjohemi për njerëzit e të ashtuquajturës Botë e Tretë, nëse s’pyesim për kë kemi në shtëpi, në lagje, apo në qytet. Për të mbërritur larg, fillohet gjithnjë nga afër. E kjo duhet bërë ashtu si duhet, me ëmbëlsi e kujdes, pa u imponuar.

         Për të qenë bashkësi e hapur, familja duhet të kultivojë frymën e mikpritjes brenda saj, duke e ndihmuar njëri-tjetrin në nevojë, duke ndarë detyrat e duke e jetuar me dashuri ambientin që e rrethon. Paralelisht, po në këtë mënyrë, duhet të jetojë marrëdhëniet njerëzore më të natyrshme, si ato miqësore, sportive, kulturore, kishtare, apo ato të punës…

         Duhen kujtuar këtu edhe format “klasike” të përgjegjësisë shoqërore të familjeve, si: lindja dhe edukimi i fëmijëve, kujdestaria dhe birësimi i jetimëve, puna e pranuar si kontribut personal në ndërtimin e qytetërimit njerëzor dhe jo vetëm si lodhje e domosdoshme për të mbijetuar, shërbimi kishtar i vullnetariatit, ofruar sipas talenteve të secilit e të tjera.

        E kjo është edhe e njëjta mënyrë me të cilën familja bëhet baza e Kishës, mjet ungjillëzimi. Thjesht, duke dhuruar, përmes mënyrës së saj të jetesës, fara të Ungjillit e të vërtetësisë së marrëdhënieve. Edhe Kisha ka nevojë që familja të jetojë brenda saj me frymën e vëllazërimit pa interes, duke ruajtur laicitetin e vet, sepse vëllazërimi s’është e thënë të veshë petka liturgjike. Kështu rrethi mbyllet e bëhet virtuoz: familja e hapur për botën i shërben familjes së madhe të Mbretërisë së Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.