2015-10-21 14:29:00

Papa në audiencën e përgjithshme: të nderohet përsëri në shoqëri besnikëria ndaj dashurisë


Identiteti i familjes bazohet mbi “premtimin për dashuri e besnikëri”, që  bashkëshortët i japin njëri-tjetrit në martesë. Por “mbajtja me nder” e këtij premtimi sot ka humbur shumë. Prej këndej, është e nevojshme t’i vihet në vend ky nder edhe në nivel shoqëror. Janë këto disa konsiderata të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot në Sheshin e Shën Pjetrit e përfunduar me urimin që Sinodi ta përtërijë në mbarë Kishën kuptimin e vlerës së pamohueshme të martesës së pazgjidhshme e të familjes së shëndoshë, bazuar mbi dashurinë e anasjelltë të burrit me gruan.

Një herë e një kohë shkëmbimi i fjalës “përgjithmonë” jetohej si pakt i shenjtë e impenjim publik. Pastaj bukurisë së zgjedhjes së njëri-tjetrit për t’u dashur përgjithëjetë, nisi t’i njihej e drejta për ta kënaqur veten me çdo mënyrë e me çdo kusht, duke e paraqitur këtë si ‘parim, që nuk mund të diskutohet". Kështu shenjtëria e paktit erdhi duke u ronitur në perceptimin e shumë bashkëshortëve e duke shkaktuar herë shpërthimin e herë ndrydhjen e  vetë familjes.

Jeta, në një premtim

Në reflektimin tejet të gjatë kushtuar jetës familjare, Papa Françesku arriti tek pika nevralgjike, vlera që ka fjala “po”, e shqiptuar nga bashkëshortët në çastin e kurorës:

Identiteti familjar bazohet mbi premtimin: mund të thuhet se familja jeton falë premtimit të dashurisë e të besnikërisë, që i bëjnë burri e gruaja njëri-tjetrës. Lidhet edhe me angazhimin për t’i mirëpritur e për t’i edukuar fëmijët; por vihet në jetë edhe duke u kujdesur për prindërit pleq e për anëtarët më të ligshtë si dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin për të realizuar cilësitë e për të pranuar kufizimiet”.

Nu ka martesë pa liri

Problemi është se, në ditët tona, nderimi ndaj besnikërisë së premtuar, ndaj fjalës së dhënë për jetë familjare, duket tejet i ligështuar. E Françesku shpjegon edhe arsyet: “Përveç së drejtës së keqkuptuar për të kërkuar me çdo kusht kënaqësi, një e keqe tjetër është se lidhjet e jetës dhe angazhimi për të mirën e përbashkët, i besohen krejtësisht detyrimit ligjor”:

Por në të vërtetë, askush nuk dëshiron të duhet vetëm për pasuritë që ka e, aq më pak, të duhet me detyrim. Dashuria, ashtu si dhe miqësia, e kanë forcën dhe bukurinë pikërisht në faktin se krijojnë lidhje, pa e mohuar lirinë: dashuria është e lirë, premtimi për të ndërtuar familjen, i lirë, e pikërisht kjo është bukuria! Pa liri, nuk ka miqësi. Pa liri, nuk ka dashuri. Pa liri, nuk mund të ketë martesë!”.

Nderimi ndaj fjalës së dhënë

Pra, siguron Papa, liria dhe besnikëria nuk i kundërvihen njëra-tjetrës,  përkundrazi, e ndihmojnë njëra-tjetrën. Si në lidhjet ndërpersonale, ashtu edhe në ato shoqërore. Mjafton të mendojmë për dëmet e rënda që shkaktojnë, në qytetërimin e komunikimit global, premtimet e panumërta, që nuk mbahen, në një mori fushash si dhe lehtësia me të cilën falen njerëzit, që e shkelin fjalën e dhënë e nuk shqetësohen fare, kur nuk i mbajnë premtimet:

Besnikëria ndaj fjalës së dhënë është kryevepër e njerëzimit. Nëse e shikojmë bukurinë e saj guximtare, na kap frika, por nëse e përbuzim trimërinë e saj sypatrembur, jemi të humbur. Asnjë lidhje dashurie, asnjë miqësi, asnjë formë dashamirësie, asnjë lloj lumturie e asnjë e  mirë e përbashkët, nuk mund të kapet në majat e dëshirës sonë e të shpresës sonë, në se nuk arrin ta jetojë këtë mrekulli të shpirtit. Nderimi ndaj fjalës së dhënë, besnikëria ndaj premtimit, nuk mund të shiten e as të blihen. Nuk mund të detyrohen me forcë, por as të ruhen pa flijime”.

Mrekulli klandestine

Françesku rreh fort mbi tastin e nderit, fjalë që sot tingëllon si monedhë e dalë jashtë përdorimi:

 “Është e nevojshme t’i kthehet nderi shoqëror besnikërisë ndaj dashurisë. Të nxirret nga klandestiniteti mrekullia e përditshme e miliona burrave e grave, që përtërijnë themelet familjare të asaj, nga e cila jeton vetë shoqëria, pa qenë në gjendje t’i garantojë në kurrnjë mënyrë tjetër”.

Familja e shëndetshme

Papa e përfundoi katekizmin duke e nxitur Kishën ta kundrojë e ta ruajë fort lidhjen familjare, në të cilën shkëlqen e vërteta “e zbuluar misteriozisht” e lidhjes së vetë Zotit me Kishën. Pastaj, në çastin e përshëndetjes drejtuar shtegtarëve polakë, Papa e përmblodhi katekizmin në një urim e një lutje për Sinodin, që tashmë numëron ditët e fundit:

Me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të lutemi që Sinodi i Ipeshkvijve, në përfundim e sipër, ta përtërijë në mbarë Kishën kuptimin e vlerës së pamohueshme të martesës së pazgjidhshme e të familjes së shëndoshë, bazuar mbi dashurinë e anasjelltë të burrit me gruan e mbi hirin hyjnor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.