2015-10-21 12:26:00

Enciklika “Lëvduar qofsh” në një konferencë në FAO


Enciklika “Lëvduar qofsh” e Papës Françesku do të jetë protagoniste e konferencës së 26 tetorit në selinë e FAO-s (Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë) në Romë. Paraqitja zyrtare e Enciklikës është nismë e FAO-s dhe e Misionit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në këtë Organizatë të Kombeve të Bashkuara, në kuadrin e një serie takimesh e debatesh me temë: “Të komunikojmë për të promovuar ndryshimin”. Synohet sensibilizimi për çështjet kryesore, që kanë të bëjnë me veprimtaritë dhe programet e FAO-s.

Tema e këtij takimi të veçantë është: “Sfidat e Enciklikës ‘Lëvduar qofsh’, në dritën e programit të zhvillimit pas vitit 2015”. Nga Vatikani do të marrin pjesë kreu i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, si edhe ai i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran.








All the contents on this site are copyrighted ©.