2015-10-21 10:59:00

Atë Lombardi: lajme të rreme për shëndetin e Papës


“Papa Françesku ka një tumor beninj”: lajmi është krejtësisht i rremë, por natyrisht bëri menjëherë xhiron e botës. Iu desh drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardit, të aktivizohej menjëherë, gati në mesnatën e djeshme, për të përgënjeshtruar këtë mister, botuar në gazetën italiane “Quotidiano Nazionale”.

“Përhapja e lajmeve krejtësisht të pabazuara mbi shëndetin e Atit të Shenjtë nga ana e një organi të shtypit italian është me përgjegjësi të rëndë, e padenjë për vëmendje”, deklaroi atë Lombardi. “Përveç kësaj – shtoi ai – siç e shohin të gjithë, Papa vijon pa ndërprerje veprimtarinë e tij të ngjeshur, në mënyrë absolutisht normale”.

Gazeta “Quotidiano Nazionale” shkruan se Ati i Shenjtë ka një tumor të vogël beninj, të kurueshëm, në kokë. Sipas saj, një helikopter i Vatikanit ka shkuar në një klinikë të Toskanës, për të marrë profesorin Fukushima, i njohur botërisht për trajtimin e tumoreve në tru, të aneurizmave dhe të dhimbjes së kokës. Gjithnjë sipas gazetës, profesori, që e ka vizituar Atin e Shenjtë, mendon se nuk ka nevojë as për operacion. Ndërkaq, nga Vatikani, nënvizojnë se i vetmi helikopter me ngjyrat bardh e verdh të Selisë së Shenjtë, që ka shkuar në Toskanë, ka qenë ai, që ka shërbyer për të parë vendet, ku do të shkojë Papa, gjatë vizitës së tij në Prato e Firence.








All the contents on this site are copyrighted ©.