2015-10-19 12:21:00

Zoja që zgjidh nyjet: Nëntëditëshi, që mund djallin


Në emisionin e 16-të të rubrikës “Zoja që zgjidh nyjet”, folëm për lidhjen e Papës Bergoglio me Marinë. Sot flasim, për nëntëditëshin, që mund djallin.

Nëntshja e Zojës Bekuar që zgjidh nyjet njihet edhe si nëntëditësh, që mund djallin. Sipas asaj, që tregon ekzorçisti kapuçin, atë Çiprian de Meo, djalli vetë, gjatë një ekzorçizmi, hapi gojën e tregoi se ishte pikërisht kjo nëntëditshe, e kremtuar nga gruaja e një të pushtuari prej tij, që ia prishi krejt planin për ta vrarë këtë fatzi.  Që nga ky çast, ekzorçisti i këshilloi të gjithë “të sëmurët” e tij t’i drejtoheshin Marisë përmes këtij devocioni të posaçëm, që ia rrënon gjithnjë planet e zeza djallit. Në librin “Virgjëra Mari dhe djalli në ekzorçizma” (Paolinet, 2011), ekzorçisti Françesk Bamonte, duke nënvizuar rolin themelor të Marisë në luftën kundër shejtanit, shkruan:

“Ka, pastaj, devocione mariane, që djalli nuk mund t’i durojë kurrsesi. Ndërmjet tyre, FalemiMëria, lutja e përditshme e Shën Bonaventurës (në faqen 31 të librit, botim italisht) dhe Rruzarja”.

Atë Gabriele Amorth, ekzorçist i mirënjohur, e nënvizon këtë kontribut të Marisë, duke theksuar:

“Preket me dorë ndihmesa e Marisë si Ndërmjetëse hiresh, sepse është pikërisht Ajo, që nxjerr nga i Biri hirin e çlirimit prej djallit”.

Në Librin e Zanafillës, Hyji e dënon gjarprin të mundet pikërisht nga soji i gruas (cfr Zan 3,15). Ndërmjet gjarprit e gruas vijon në shekuj armiqësia, vijon beteja, e përshkruar poetikisht në Librin e fundit të Biblës (cfr Zb 12). E, në këtë betejë, gruaja del gjithnjë fitimtare, falë forcës që i vjen nga Zoti. Prandaj, ashtu si Zoja e Papërlyer, edhe Zoja që zgjidh nyjet, paraqitet duke shkelur me këmbë kokën e gjarprit, simbol i së keqes, që kërcënon jetën e çdo njeriu. 








All the contents on this site are copyrighted ©.