2015-10-19 13:04:00

Papa: kardinal Martini mjeshtër i dialogut pa kufij


“Kur kërkojmë vullnetin e Zotit, hasim gjithnjë këndvështrime të ndryshme e duhet të gjejmë hapësira për ta dëgjuar Shpirtin Shenjt e për t’i lejuar të veprojë në thellësi, siç po provojmë në Sinodin për Familjen”. Kështu shkruan Papa Françesku në parathënien e librit “Katedrat e jo besimtarëve”, vëllimi i parë i veprës së plotë të kardinalit Carlo Maria Martini. Libri del në shtyp të enjten për Shtëpinë Botuese Bompiani, ndërsa parathënia botohet sot nga gazeta italiane “Corriere della Sera”. Ati i Shenjtë Françesku nënvizon se kardinali i mirënjohur për kulturën e tij të gjerë filozofike e teologjike, si edhe për dialogun me besimtarët e jo besimtarët, “e ka hedhur vështrimin përtej kufijve të konsoliduar, duke favorizuar një Kishë misionare ‘në dalje’ e jo të mbyllur në vetvete, duke nxjerrë në dritë mesazhin universal të Ungjillit, bartës të dritës e të fyrmëzimit për çdo njeri”.

“Dëshiroj të vë në dukje tri aspekte, që mendoj se janë veçanërisht të rëndësishme në figurën e kardinalit – shkruan më tej Papa Françesku. I pari ka të bëjë me kujdesin e tij për të promovuar në bashkësinë kishtare stilin e sinodalitetit, për të cilin u fol në Koncilin II të Vatikanit. Së dyti – nënvizon Papa Bergoljo – me stilin e tij baritor dhe shpirtëror të dialogut, kardinali Martini u përpoq të afronte jo vetëm anëtarët e bashkësisë kishtare. Bëri ç’është e mundur për t’u takuar edhe me ata, që nuk e numëronin veten në bashkësinë e besimtarëve”. Aspekti i tretë, që karkaterizon ish-kryeipeshkvin e Milanos, tipar që sipas Papës “mbështet e është bazë për dy të parët”, është “familjariteti i tij me Fjalën e Zotit. E kjo aftësi bashkohej me talentin baritor për t’ua kumtuar këtë Fjalë të gjithëve, besimtarëve dhe laikëve, intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë”.

Për Atin e Shenjtë Bergoglio, vepra e plotë kardinalit Carlo Maria Martini është ftesë për të reflektuar së bashku si po e ndërtojmë të ardhmen e planetit; është nxitje për të kërkuar rrugë të përbashkëta shprese. Mendimi i kardinalit, i cili – kujtojmë – ndërroi jetë në vitin 2012, mund të jetë ndihmë e madhe për botën e sotme, ku veprojnë forca shpërbërëse, që synojnë t’i bëjnë njerëzit gjithnjë e më pak humanë. Vepra e kardinalit, përfundon Papa Françesku, mund të frymëzojë një jetë më kuptimplote e një bashkëjetesë më vëllazërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.