2015-10-18 17:01:00

Shenjtërime. Papa: arrivizmat dhe ecja mbi gjurmët e Krishtit janë të papajtueshme


Sot paradite Papa kryesoi Meshën Shenjte në Sheshin e Shën Pjetrit për të kanonizuar 4 shenjtorë të rinj: prindërit e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë Louis e Zélie Martin, don Vincenzo Grossi-n, themelues i Institutit të Bijave të Oratorit dhe Marinë e Zojës së Papërlyer, eprore e Motrave të Shoqërisë së Kryqit.

Rreth Papës, në elter, kremtuan gjashtë kardinaj e pesë ipeshkvij; shumë të tjerë ishin të pranishëm në treme, ndërsa Sheshi, përplot me besimtarë ardhur nga Italia, Franca e Spanja. “Ndjekja e Krishtit është e papajtueshme me ambiciet, arrivizmat, ndërsa përkojnë plotësisht Jezusi, specialist në vuajtje dhe vuajtja jonë”- theksoi Papa në homeli.

Në leximet e kësaj së diel ndjehej fort tema e shërbimit, udha e përvujtërisë, e kryqit, që Jezusi e jetoi e na e tregon si udhë jete. E edhe në homelinë e Françeskut, mbajtur në përfundim të ritit të kanonizimit të 4 shenjtorëve të rinj, që iu paraqitën Papës nga kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Në leximin e parë, Izaia profet skicon figurën e shërbëtorit të Jahwè, njeri i përbuzur, i braktisur nga të gjithë, specialist i vuajtjes. Misioni i Tij, theksoi Françesku, realizohet përmes vuajtjes, që e ndihmon t’i kuptojë të vuajturit, të mbartë zgjedhën e mëkateve të tjetërkujt e t’i shlyejë të gjitha fajet:

“Jezusi është Shërbëtori i Zotit: jeta e Tij dhe vdekja e Tij, krejtësisht në formën e shërbimit, ishin shkasi i shëlbimit dhe i pajtimit të njerëzimit me Zotin”.

Por, sa ndryshe mendojnë njerëzit, e deri vetë apostujt: Jaku e Gjoni arrijnë deri atje, sa t’i kërkojnë Jezusit të ulen në të djathtën e në të majtën e Tij, në mbretërinë qiellore. Atëherë Zoti u jep “goditjen” e parë të fortë, bindjeve të tyre. Me figurën e kelkut, që edhe ata do ta pinë, i siguron të dy se do të mund ta kenë fatin e Tij e ta shoqërojnë deri në fund të fundit në vuajtje, por jo në vende nderi:

“Përgjigjja e Tij është ftesë për ta ndjekur në rrugën e dashurisë e të shërbimit, duke mos e pranuar tundimin e botës, që të shtyn të kryesosh e të komandosh mbi të tjerët. Përballë njerëzve që nuk përtojnë të bëjnë sherr për të marrë pushtetin, për të pasur sukses, për t’u dukur; përballë njerëzve, që kërkojnë t’u njihen me çdo kusht meritat, punët, dishepujt janë të thirrur të bëjnë të kundërtën”.

Jezusi e përmbys mënyrën e zakonshme të të menduarit, duke e treguar shërbimin si stil autoriteti në bashkësinë e krishterë:

“Jezusi na fton ta ndryshojmë mendësinë e të kalojmë nga lakmia për pushtet, në gëzimin që lind kur bëhesh i padukshëm e nis e shërben; na fton ta shkulim me gjithë rrënjë instinktin e sundimit mbi të tjerët e të ushtrojmë virtytin e përvujtërisë”.

E flijon vetveten, si ideal për t’u lakmuar. Në traditën biblike “Biri i njeriut është ai, që merr nga Hyji pushtet, lumni, mbretëri”, por Jezusi e mbush  me kuptim të ri edhe këtë figurë:

“...e saktëson se Ai e ka pushtetin, si shërbëtor; lavdinë, si njeri i aftë për t’u përulur; autoritetin mbretëror, si person në gatishmëri për ta dhuruar plotësisht jetën. E vërtet, me mundimet e vdekjen, Ai zu vendin e fundit e arrin edhe kulmin e madhështisë, pikërisht në shërbim, dhe ia bën dhuratë Kishës së Tij”.

Nuk mund të pajtohen, prandaj, mënyra si konceptohet pushteti sipas kritereve të botës e shërbimi i përvuajtur, që duhet ta karakterizojë autoritetin, sipas shembullit të Jezusit:

“Papajtueshmëri ndërmjet ambicioneve, arrivizmave e ndjekjes së Krishtit; papajtueshmëri ndërmjet nderimeve, suksesit, famës, ngadhënjimeve tokësore e logjikës së Krishtit të kryqëzuar. Ndërsa pajtueshmëri të plotë ndërmjet Jezusit ‘specialist në vuajtje’, e vuajtjes sonë”.

Na e kujton edhe Letra drejtuar Hebrenjve: Jezusi ushtron kryesisht meshtarinë e mëshirës e të dhimbsurisë:

“Ai i provoi drejtpërdrejt vështirësitë tona, e njeh plotësisht brishtësinë tonë njerëzore; mosnjohja e mëkatit nuk e pengon t’i kuptojë mëkatarët, lavdia e tij nuk është ajo e ambicies, nuk është etja për sundim, por lumnia e dashurisë për njerëzit, marrja mbi vete dhe ndarja me ta e ligështisë e, sidomos, dhurata e hirit, që shëron”.

Secili nga ne, si i pagëzuar, pohoi Ati i Shenjtë, merr pjesë në meshtarinë e Krishtit dhe bëhet kanal i dashurisë së Tij, i mëshirës së Tij, posaçërisht për ata, që kalojnë dhimbje, çaste ankthi, çkurajimi e vetmie. Shenjtorët e rinj janë shembuj të ndritur: Shën Vincenzo Grossi, famullitar i zellshëm, gjithnjë i vëmendshëm ndaj nevojave të njerëzve të tij; Shën Maria e Zojës së Papërlyer, grua që e vuri gjithë jetën në shërbim të bijve të të varfërve e të të sëmurëve; bashkëshortët Martin, që ia dolën ta ndërtojnë familjen, ditë pas dite, si vatër plot me fe e dashuri, na nxisin - përfundoi Papa – “të vijojmë ecjen në udhën e shërbimit gazmor ndaj vëllezërve, duke besuar plotësisht se Zoti nuk na lë kurrë vetëm, pa ndihmë, e  edhe se Zoja nuk e harron sa nevojë kemi për mbrojtjen e saj amtare. Nga qielli ata vigjëlojnë mbi ne e na mbështesin me ndërmjetësimin e tyre të fuqishëm”.

Ndërmjet ndjeteve të lutjes në gjuhë të ndryshme të botës, ishte edhe ndjeti në gjuhën kineze për të krishterët e persekutuar. Besimtarët iu lutën Zotit që, të bashkuar nga kelku i mundimeve të Krishtit, të jenë të fortë e të qëndrueshëm në mundime e flijimi i tyre të ndihmojë për shëlbimin e mbarë njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.