2015-10-18 09:38:00

Shenjtorët e javës 18-25 tetor


E diel 18 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 18 tetor kalendari përkujton shën Lukën ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve. Po më 18 tetor shënohet Dita Misionare Botërore që ka si temë “Në krahun e të varfërve”.

Me 18 tetor bie festa e Shën Lukës Ungjilltar. Duke folur për Ungjillin e vet, në fillim të Veprave të Apostujve, shën Luka Shkruan: ”Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri kur u ngrit në qiell…” (Vep 1, 1). Emri Teofil është një emër i përveçëm, që i përkthyer shqip, do të thotë ‘i dashur nga Hyji’. Ungjilli i Lukës është shkruar për të gjithë njerëzit, sepse të gjithë janë të dashur nga Hyji, prandaj mënyra më e mirë për ta nderuar këtë shenjt, është pranimi i ungjillit që ai na ka shkruar, pranimi i Krishtit.

Të hënën më 19 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Palin të Kryqit, pasionist, shën Gjonin e  Brëbëfit e  shën Isakut Joges. Zoti ia shpall paqen popullit të vet, na mëson liturgjia e kësaj dite. I krishteri duhet të rrijë gati, në mënyrë që të mund të marrë pjesë në banketin dasmor të përgatitur prej Hyjit.

Të martën më 20 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Irenën e Portugalisë, shën Adelinën, shën Maria Bertila Boskardinin e shën Vitalin. Dashuria e Zotit është kërkuese, na tregon Ungjilli i ditës. Edhe shën Palit Apostull, ashtu si të gjithëve, i kërkohet të kundrojë pasurinë e Krishtit, që të mos bëhet kurrë si shërbëtori, që nuk e pret të zotin

Të mërkurën më 21 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Kornelin, shën Orsolinës, shën Çeçilen e shën Gasprin nga Bufalo. Me dashurinë e Zotit është plot toka, thonë leximet e kësaj dite. Paqja që Jezusi sjell mbi dhe nuk është thjesht mungesë lufte, por kërkon t’i pranojmë dallimet e kundërshtitë për t’i pëlqyer Zotit, më shumë se sa njerëzve.

Për shën Kornelin, në Veprat e Apostujve, lexohet: “Në Çezare ishte një njeri me emrin Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, njeri i përshpirtshëm, që besonte në Hyjin, si ai, ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit”. Shpirti Shenjt dërgon Pjetrin tek ky njeri, që jetonte me drojën e Zotit. Pas predikimit të Pjetrit, për habinë e të krishterëve, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë të pranishmit në atë shtëpi. Ky fakt e bëri Pjetrin të thoshte: “Vallë, a mund ta ndalojë kush ujin, të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?”

Të enjten më 22 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Gjon Palin II, shën Donatin nga Fiezole, e shën Dun Skotin . Të gjithë këta shenjtorë e kërkuan me ngulm fytyrën e Zotit. Kush është i aftë të kuptojë shenjat e kohës di edhe si ta pranojë Krishtin, i cili shfaqet në ngjarjet e vogla e të fshehta të jetës.

Mbetet e paharrueshme thirrja, që Gjon Pali II i drejtoj botës nga froni i Shën Pjetrit ditën kur filloi misionin baritor si pasardhës i kreut të Apostujve: “Mos kini frikë! Hapjani dyert Krishtit!” . Krishti kishte hyrë aq shumë në dyert e hapura të zemrës së Karol Vojtilës, sa ai u bë i ngjashëm me Krishtin në vuajtje e në lavdi. 

Të premten më 23 tetor, kalendari përkujton shën Gjon Kapestrani e shën Severinin. Ata na mësojnë se për të sjellë fryte në këtë botë duhet të arrijmë maturinë e plotë. E për këtë, është e nevojshme të drejtohemi gjithnjë kah Krishti, për të parë dhuratat, që Zoti i ka dhënë secilit.

Françeskani italian Gjon Kapestrani që jetoi ndërmjet shekujve 14-15 shpalli pa u lodhur Ungjillin në Evropën Veriore e Lindore. Gjatë një homelie në Vjenë, tha: «Zakonisht unë fle dy orë ose vetëm një orë. Tani do të më pëlqente të flija e jo të predikoja, por nuk i përkas më vetvetes. Jam i juaji” . Me predikimin e tij synonte të përtërinte moralin e krishterë, të luftonte herezitë e të kundërshtonte kamatën në huadhënie.

Të shtunën më 24 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Luigj Guanelën e shën Antonio M. Klaret. Duke folur për shën Antonio M. Klaretin, me rastin e shenjtërimit, Papa Piu XII tha: “Ishte njeri me shpirt të madh, a thua se kishte lindur për të shuar kundërshtitë. Edhe pse rridhte nga një familje e thjeshtë, shkëlqeu para botës; i përvuajtur si njeri, por me shpirt madhështor; i përkorë në pamje të jashtme, por i zoti të ngjallë respekt tek të fuqishmit e botës; me karakter të fortë, por me ëmbëlsinë e dashur të atij që e njeh rreptësinë e pendesës”.

Të dielën e ardhshme më 25 tetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 30-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 25 tetor kalendari kishtar përkujton shën Krizantin e shën Darion, martirë të shekulli III, shën Gaudencin, të Lumin Karlo Gnocchin. 








All the contents on this site are copyrighted ©.