2015-10-16 13:36:00

Papa: hipokrizia është virus në hije, lutja e mund


Duhet të lutemi shumë, për t’u mbrojtur nga rreziku i molepsjes me virusin e hipokrizisë, nga kjo sjellje farizeike, që të josh me gënjeshtra, duke u fshehur gjithnjë në gjysëmhije. Është nxitja e Jezusit, që Papa Françesku na ftoi ta pranojmë, duke komentuar Ungjillin e ditës, në homelinë e Meshës, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.

Nuk ka ngjyrë, hipokrizia: i pëlqen të luajë me gjysma ngjyrash. Depërton e tërheq në “dritëhije”, me joshjen e gënjeshtrës, që nganjëherë i pëlqen njeriut shumë më tepër sesa e vërteta. Papa ka parasysh skenën e pikturuar nga fragmenti i Ungjillit të ditës, shkëputur nga Ungjilli i Lukës. Në këtë skenë sodisim Jezusin me dishepujt në mes të një turme njerëzish, që  shkelin këmbët e njëri-tjetrit, aq të shumtë janë. Shikojmë Zotin në mes të të vetëve, duke u bërë vërejtjen: “Ruajuni nga tharmi i farizejve!” Është diçka tejet e vogël tharmi, na kujton Françesku, por në gojën e Jezusit kjo fjalë tingëllon si “virus”. E të duket sikur Krishti, si një mjek i mirë, u kujton bashkëpunëtorëve të tij rrezikun e infektimit, të molepsjes. Virusi mund të të ngjitet në një çast të vetëm:

“Hipokrizia është mënyrë e paqartë jetese, veprimi, të foluri. Ndoshta qesh, ndoshta ngryset… Nuk është dritë, nuk është hije…. Lëviz në një mënyrë të tillë, që të duket sikur nuk kërcënon askënd, spërdridhet si gjarpër, por ka joshjen e dritë-hijes. Ka atë joshje, që kanë sendet, të cilat nuk janë të qarta; joshjen e fjalëve, që nuk thuhen qartë: joshjen e mashtrimit, të dukjes…. Farizejve  hipokritë Jezusi u thoshte edhe se ishin përplot me vetveten, me kotësi, se u pëlqente të shëtisnin në sheshe, për t’u dukur si njerëz me rëndësi, si njerëz të ditur…”

 Por Jezusi e sqaron gjithnjë turmën për të mos rënë në grackën e tyre. “Mos kini frikë!”, pohon, “Ruajuni prej tharmit të farizenjve, që domethënë ruajuni nga hipokrizia! E i kujton: “S’ka fshehtësi, që nuk do të zbulohet, as sekret, që nuk do të merret vesh. Prandaj, çdo gjë që thatë në errësirë, do të buçasë në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh, ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve. Sepse nuk ka gjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as sekret, që nuk do të njihet”.

Është si të thuash - vërejti Françesku, se përpjekja për t’u fshehur nuk të ndihmon aspak, edhe pse tharmi i farizejve i shtynte njerëzit të donin më shumë errësirën sesa dritën:

“Ky tharm është virus, që të ngjitet, të kall sëmundjen e të sjell vdekjen. Kujdes! Të çon në terrina, ky virus! Ruaju! Por kujto edhe se është Një, shumë më i madh se virusi: është Ati, që rri në Qiell. Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: trembuni nga ai që, pasi t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju flakë në ferr. Po, unë po ju them: atij kijani frikën! Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre Hyji nuk e harron kurrë!”.

E pastaj edhe porosia e fundit:

“Mos kini frikë! Ju deri fijet e flokëve të kresë i keni të numëruara! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh”.

Përballë të gjitha këtyre druajtjeve, që mbijnë andej e këndej e që na rrezikojnë të marrim virusin, tharmin e hipokrizisë farizeike, Jezusi na kujton: “Mos u fikësoni, ju keni një Atë. Një Atë, që ju do! Një Atë, që kujdeset për ju!”.

E ka vetëm një mëyrë për ta shmangur molepsjen, pohon Papa Françesku. Është udha, që na e tregon Jezusi: të lutemi. E vetmja rrugëzgjidhje, për fundoi Papa, për të mos rënë në këtë sjellje farizeike, që nuk është as dritë e as errësirë, por zë pritë në gjysmën e një udhe, që nuk të çon kurrë në dritën e Zotit:

“Të lutemi. Të lutemi shumë! Zot, ruaje Kishën tënde, që jemi ne të gjithë; ruaje popullin tënd, atë që qe mbledhur, ata njerëz që shkelnin njëri-tjetrin. Ruaje popullin tënd e bëj ta dojë dritën, dritën, që vjen  nga Ati, që vjen nga Ati yt, i cili të dërgoi Ty për të na shpëtuar! Ruaje popullin tënd, që të mos bëhet hipokrit, të mos jetojë një jetë të amullt. Ruaje popullin tënd, që të ketë gëzimin ta dijë se është një Zot, i cili na do shumë e shumë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.