2015-10-15 11:33:00

Benedikti XVI për shën Terezën e Avilës: na fton ta duam konkretisht Zotin e njeriun


Në audiencën e përgjithshme të dy shkurtit të vitit 2011 mbajtur në Vatikan, Papa Benedikti XVI nisi një katekizëm të ri, i pari i një serie, kushtuar portreteve të Dijetarëve të Kishës. Katekizmin e audiencës së 2 shkurtit 2011 Papa Ratzinger ia kushtoi Shenjtores, e cila përfaqëson një nga majat më të larta të përshpirtërisë së krishterë të të gjitha kohëve: Terezës së Jezusit.

Shenjtorja lindi në Avila të Spanjës, në vitin 1515, në familjen Ahumada. Prindërit, njerëz me virtyte të larta e me frikën e Zotit, e pagëzuan me emrin Terezë. Në jetëshkrimin e saj na njeh me shumë hollësira të miturisë: flet për bindjet fetare të prindërve, për nëntë vëllezërit e tri motrat, për çastet e lume e të shqeta të jetës në këtë familje kaq të madhe e, njëkohësisht, kaq të lidhur me Zotin.

Ishte vetëm nëntë vjeçe, kur nisi të lexojë jetët e disa martirëve. I lindi menjëherë dëshira të ecë në gjurmët e tyre, të pësojë martirizimin për Krishtin, të ngjitet sa më shpejt në qiell, pranë të Kryqëzuarit, duke mbartur mbi supe kryqin e vet. Fëmijët e kanë zakon t’u kërkojnë prindërve lodra, ajo u kërkoi diçka krejt të jashtëzakonshme: “Dua të shoh Zotin”, u tha, në sa ishte ende krejt e njomë.

Disa vjet më vonë Tereza do të fliste për leximet e miturisë e do të pohonte se kishte zbuluar të vërtetën, të cilën e përmbledh në dy parime kryesore. Parimi i parë: gjithçka i përket kësaj bote, kalon, zhduket, shpesh pa lënë asnjë gjurmë. Parimi i dytë, themelor: Vetëm Zoti mbetet përgjithmonë, përgjithmonë, përgjithmonë! E kjo do të ishte edhe tema e poezisë së saj të famshme:
Mos u shqetëso për asgjë,
nga asgjë ti mos ki frikë.
veç Zotit, gjithçka kalon,
po ai kurrë nuk ndryshon.
Durimi i hap rrugën dritës,
atij që ka Zotin,
asgjë s’i mungon:
Zoti mjafton
!

Kemi nevojë t’i lutemi Hyjit të na mësojë t’i duam Atë e vëllezërit” theksoi Papa Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger përshkroi çastet më të rëndësishme të jetës së Mistikes së madhe të Avilës, që jetoi në shekullin XVI, duke theksuar rëndësinë që kanë meditimi e lutja edhe në jetën e njeriut të kohëve tona.

Të gjithë kemi etje për Zotin, të gjithë në thellësitë e zemrës sonë kemi dëshirë të rrimë me Zotin e të jemi miqtë e tij – vijoi Papa Ratzinger – duke theksuar, më pas, se në shoqërinë tonë, ku shpesh mungojnë vlerat shpirtërore, Shën Tereza e Jezusit na mëson të jemi dëshmitarë të palodhshëm të Zotit, të pranisë, së tij, të hirit të tij, të veprimit të tij:

Shembulli i kësaj shenjtoreje, kundruese e thellë e veprimtare e suksesshme, na shtyn edhe ne ta gjejmë çdo ditë kohën e duhur për t’u lutur (…) Koha e lutjes nuk është kohë e humbur, por kohë për të hapur rrugën drejt jetës së vërtetë, kohë për të mësuar nga Zoti dashurinë e zjarrtë për Të, për Kishën e tij, për bijtë e Tij”.

Papa Benedikti XVI kujtoi se për shenjtoren spanjolle, reformatore e Urdhrit Karmelitan, të lutesh do të thotë të shkosh për vizitë miqësore te Zoti, i cili të do, të pret me dashuri të pakufishme. Prandaj vuri theksin mbi pikat themelore të përshpirtërisë tereziane:

Në radhë të parë Shën Tereza propozon virtytet ungjillore, si bazë e gjithë jetës së krishterë e njerëzore: posaçërisht, shkëputjen nga pasuritë dhe varfërinë ungjillore; dashurinë për njëri-tjetrin, si element themelor i jetës në bashkësi e në shoqëri; përvujtërinë, si dashuri për të vërtetën; vendosmërinë, si fryt i guximit të krishterë; shpresën teologale, të cilën e përshkruan si etje e pashuar për ujin e gjallë”.

Por, në sa radhit virtytet hyjnore, Shën Tereza nuk i harron as virtytet njerëzore: përzemërsinë, çiltërsinë, modestinë, mirësjelljen, gjallërinë, kulturën. Papa kujtoi, më pas, edhe veprën më të famshme të Shën Terezës, me titull “Kështjella shpirtërore”, në të cilën përshkruan udhën e shpirtit të saj e, njëkohësisht, kodifikon mundësitë e zhvillimit të jetës së krishterë drejt përsosurisë. Prej këndej Papa Benedikti XVI shpjegoi ç’kuptim kishte lutja për Terezën e Avilës:

Lutja është jetë, që ecën krah për krah me jetën e krishterë: nis nga urata e shqiptuar me zë të lartë, për të kaluar, përmes rrugëve të shpirtit, në meditim e në përqëndrim të thellë, deri sa arrin në bashkim dashurie me Krishtin e me të Shenjtnueshmen Trini”.

Benedikti XVI kujtoi edhe miqësinë ndërmjet mistikes e Shën Gjonit të Kryqit, me të cilin arriti të themelonte kuvendin e parë të karmelitanëve të zbathur. Foli edhe për veprën e Shën Terezës, titulluar “Libri i jetës”, në të cilin ia nënshtron shpirtin gjykimit të “Mësuesit të jetës shpirtërore”, Shën Gjonit të Avilës:

Qëllimi është të vërë në dukje praninë e veprimin e Hyjit të mëshirshëm në jetën e saj: për këtë arsye vepra shpesh ka formën e dialogut me Zotin, në lutje. Leximi i kësaj vepre të rrëmben, sepse rrëfimi është aq i fuqishëm, sa të bën ta rijetosh përvojën e thellë të lidhjes së saj me Zotin”.

Së fundi Ati i Shenjtë Ratzinger kujtoi temat më të dashura për Shën Terezën: ajo pati në qendër të vëmendjes Krishtin Zot e njeri dhe dashurinë për Kishën:

Shën Tereza e deshi Kishën me dashuri pa asnjë kusht; ajo dëshmoi një “sensus Ecclesiae” të vërtetë, të cilin nuk e cenuan aspak përçarjet e konfliktet në jetën e Kishës së kohës, kur jetoi. Edhe Urdhrin Karmelitan e reformoi me qëllim që t’i shërbente më mirë “Kishës Shenjte Katolike Romake”, gjithnjë e gatshme të jepte për të, edhe jetën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.