2015-10-15 16:44:00

Ipeshkvijtë e Mbretërisë së Bashkuar: të ndalohet dhuna në Tokën Shenjte


“Të shmanget udha e pjerrët e logjikës sy për sy si dhe paditë e anasjellta pafund!”. Është thirrja drejtuar liderëve palestinezë dhe atyre izraelitë nga izmot Declan Lang, kryetar i Komisionit të Konferencës ipeshkvnore të Anglisë dhe të Uellsit (Cbcew) për çështjet ndërkombëtare.

Në një notë, që u shpërnda dje, ipeshkvi, kryetar i Koordinimit për Tokën Shenjte, shpreh shqetësimin e tij në rritje për shkallëzimin e ri të dhunës në Jeruzalem dhe i fton të dyja palët për maturi.

Nuk mund të ketë paqe, pa drejtësi

“Gjatë vizitave të mia në Tokën Shenjte –lexohet në një notë – munda të vërej zhgënjimin e palestinezëve për të cilët vdekja, nganjëherë, shikohet  si e vetmja shpresë e sigurt, sidoqë tejet e dhimbshme. Kjo më bën të mendoj, vijon, se gjithë ky dëshpërim nuk mund të jetë kurrsesi burim i dhunës së pakontrolluar e se autoritetet izraelite duhet ta imponojnë respektimin e ligjit”. Duke kujtuar fjalët Palit VI në “Populorum Progressio”, imzot Lang nënvizon se “paqja kërkon drejtësi, përndryshe, pohon, marrëdhëniet njerëzore zvetënohen e dhuna nuk mund të mbahet gjithnjë nën kontroll”. Prej këndej, përsëritja e thirrjes drejtuar si izraelitëve, ashtu edhe palestinezëve për ta rifilluar udhën e paqes, bazuar mbi drejtësinë, “që të mund të jetojnë, të dyja palët, të sigurtë në Shtetet përkatëse sovrane”.

Papa Françesku në Sheshin e Xhamive në Jerusalem pati kërkuar të mos e kthejmë emrin e Hyjit në vegël të dhunës!

Më 26 maj të vitit 2014, në ditën e fundit të udhëtimit të Papës Françesku në Tokën e Shenjtë, dy takimet kryesore të Papës qenë vizita në Yad Vashem të Jeruzalemit dhe Mesha kremtuar në Çenakull me ipeshkvijtë katolikë të Tokës së Shenjtë.

Paraditen e 26 majit 2014 Papa Françesku qe takuar me Kryemyftiun e Jerusalemit, në ndërtesën e Këshillit të Lartë, në Sheshin e Xhamive, dhe i quajti myslimanët “miq” e “vëllezër të dashur”: “jam mirënjohës – tha Papa Bergoglio – që mund t’ju takoj në këtë vend të shenjtë.  Ju falënderoj nga zemra për ftesën që më drejtuat dhe në veçanti ju falënderoj Ju, Shkëlqesi, dhe Kryetarin e Këshillit të Lartë Mysliman”.

“Duke ecur në gjurmët e paraardhësve të mi – vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio – veçanërisht në vazhdën e ndritur të udhëtimit të Papës Palit VI para pesëdhjetë vjetësh, i pari i një Pape në Tokën e Shenjtë, kam dëshiruar shumë të vija si shtegtar, për të vizituar vendet që kanë parë Jezu Krishtin të pranishëm në tokë.

Por ky shtegtim i imi nuk do të ishte i plotë po të mos përfshinte edhe takimet me njerëzit dhe bashkësitë që jetojnë në këtë tokë, prandaj jam veçanërisht i lumtur që takohem me ju, vëllezër myslimanë, vëllezër të dashur”.

“Në këtë çast – tha Papa –më vjen ndër mend figura e Abrahamit, që jetoi si shtegtar në këto toka. Myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë, në mënyra të ndryshme, e njohin Abrahamin si atin në fe dhe si shebull i madh, që duhet ndjekur. Ai u bë shtegtar, u nda nga njerëzit e vet, nga shtëpia e vet, për të nisur aventurën shpirtërore për të cilën e thërriste Hyji.
Shtegtari – nënvizoi Papa Françesku – është një njeri që bëhet i varfër, që vihet në udhë, priret drejt një pikësynimi të madh dhe të shumëdëshiruar, jeton me shpresën e një premtimi, që i është bërë (khs Heb 11,8-19). Kjo qe gjendja e Abrahamit, ky duhet të jetë edhe qëndrimi ynë shpirtëror. Nuk mund të mendojmë kurrë se jemi të vetëmjaftueshëm, pronarë të jetës sonë; nuk mund të kufizohemi, duke u mbyllur, të sigurt në bindjet tona. Përballë misterit të Hyjit jemi të gjithë skamnorë, e ndjejmë se duhet të jemi të gatshëm për të dalë nga vetvetja, duke e dëgjuar thirrjen që Hyji na drejton, të hapur ndaj të ardhmes që ai dëshiron të ndërtojë për ne”.

Në shtegtimin tonë tokësor – nënvizoi Papa Françesku – nuk jemi vetëm: ndeshim në udhë besimtarët e tjerë, nganjëherë ndajmë me ta një pjesë të udhës, nganjëherë jetojmë së bashku një ndalesë, që na përtërin. I tillë është takimi i sotëm, dhe unë e jetoj me mirënjohje të veçantë: është një vendpushim i pëlqyeshëm i përbashkët, i mundësuar nga mikpritja juaj, në këtë shtegtim, që është jeta jonë dhe ajo e bashkësive tona. Jetojmë një komunikim dhe një shkëmbim vëllazëror, që mund të na ushqejnë dhe të na japin forca të reja, për të përballuar sfidat e përbashkëta, që na presin”.

Nuk mund të harrojmë, në të vërtetë – vërejti – se shtegtimi i Abrahamit qe edhe një thirrje për drejtësi: Hyji e deshi dëshmitar të veprave të tij dhe imitues të vetin. Edhe ne do të dëshironim të ishim dëshmitarë të veprimit të Hyjit në botë dhe për këtë, pikërisht në këtë takim tonin, ndjejmë se thellë brenda nesh tingëllon thirrja për të qenë veprimtarë të paqes dhe të drejtësisë, thirrja për t’i kërkuar në lutje këto dhurata dhe për të mësuar mëshirën, madhështinë shpirtërore dhe dhembshurinë, që vijnë prej së larti”.

Pastaj përfundoi: “Të dashur vëllezër, të dashur miq, nga ky Vend i shenjtë u drejtoj një thirrje me gjithë zemër mbarë njerëzve dhe bashkësive që mbështeten tek Abrahami: ta respektojmë dhe ta duam njëri-tjetrin si vëllezër e motra! Të mësojmë ta duam dhimbjen e tjetrit! Askush të mos e bëjë emrin e Hyjit vegël të dhunës! Të punojmë së bashku për drejtësinë e për Paqen! Salam!








All the contents on this site are copyrighted ©.