2015-10-14 13:56:00

Papa Françesku: të shtohen përpjekjet për të zhdukur mjerimin


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujtoi se të shtunën e ardhshme, më 17 tetor, kremtohet Dita Botërore e Refuzimit të Mjerimit.

“Kjo ditë – tha Ati i Shenjtë – na propozon t’i shtojmë përpjekjet për ta zhdukur varfërinë dhe diskriminimin e skajshëm e për t’i siguruar gjithkujt mundësinë e ushtrimit të plotë të të drejtave themelore. Të gjithë jemi të ftuar ta bëjmë tonin këtë synim, që dashuria e Krishtit të arrijë e t’i lehtësojë vëllezërit e motrat tona më të varfëra e më të braktisura”.

Dita ka për temë: “Të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme: të bashkohemi kundër mjerimit dhe diskriminimit”. Në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, në orën 16.00, do të përkujtohen viktimat e mjerimit: propozim ky, i Lëvizjes Ndërkombëtare ATD Bota e Katërt dhe i Komitetit organizator të Ditës Botërore të Refuzimit të Mjerimit. Në programin e manifestimit parashikohen dëshmi e mesazhe solidariteti, me pjesëmarrjen e “7 Hill Gospel Choir” (Kori Gospel i 7 Kodrave), drejtuar nga Gianluca Buratti. Në orën 18.00, kremtimi eukaristik në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, kryesuar nga Rektori i Madh i Universitetit Papnor Lateranens, imzot Enrico Dal Covolo.

Dita Botërore e Refuzimit të Mjerimit filloi të organizohej më 17 tetor 1987 dhe u njoh nga OKB-ja vetëm 25 vjet më vonë. Ajo është kthyer në një takim të rëndësishëm për të gjithë ata, që gjatë vitit, impenjohen për të shpëtuar nga mjerimi burrat e gratë, të cilët e përjetojnë varfërinë çdo ditë.








All the contents on this site are copyrighted ©.