2015-10-13 14:09:00

Takimet e Gjeçovit 2015 në Zym të Hasit u mbajtën për të 44-ten herë me radhë


Figura dhe vepra e jashtëzakonshme e Atë Gjeçovit, të shtunën e kaluar në manifestimin kulturor ‘Takimet e Gjeçovit’ 2015 mbajtur fshatin Zym të Hasit, ka mbledh veprimtarë, klerikë, artistë, krijues, politikanë dhe bashkëkombas të shumtë nga mbarë trojet shqiptare. Gjatë këtij manifestimi kulturor u shënua 300-vjetori i veprës së një figure tjetër madhore të historisë kombëtare e kulturore shqiptare, ajo e Imzot Pjetër Bogdanit ‘Çeta e Profetëve’. Më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt....

Në Zym të Hasit u mbajt manifestimi ‘Takimet e Gjeçovit’ 2015

Françeskani Atë Ndue Kajtazi bekoi e shpalli të hapur punimet e manifestimit tradicional kulturorë, letrarë e shkencorë ‘Takimet e Gjeçovit’ 2015, i cili u mbajt të shtunën e kaluar më 10 tetor në fshatin Zym të Hasit, komunë të Prizrenit, për të 44-ten herë me radhë, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve ‘Shtjefën Gjeçovi’ nga Zymi, Ministria e Kulturës  së Kosovës dhe Komuna e Prizrenit.

Për dallim nga herët tjera, sivjet manifestimi u organizua në ambient të mbyllur për shkak të reshejeve të shiut, i cili nuk pengoi që ‘Gjeçovi i Madh’ të mbledh rreth vetës veprimtarë, klerikë, artistë, krijues, politikanë dhe bashkëkombas të shumtë nga mbarë trojet shqiptare.

Këtë eveniment të bukur, fillimisht e përshëndeti ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi, i cili vlerësoi lartë figurën e At Shtjefen Gjeçovit, ndërsa përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave të  Shqipërisë, Laurant Bica, duke folur me plot emocion tha se këtu në Zym tashmë po e ndjejmë frymën Gjeçoviane.

Tema e Tribunës Shkencore kësaj radhe ishte ‘Vendi i Kosovës në UNESKO’ për të cilën foli Arben Arifi, Sekretar Shkencorë në Institutin e Historisë. Ai dha arsye të forta duke numëruar fakte se pse Kosova meriton të pranohet në UNESKO, në këtë organizëm të veçantë ndërkombëtarë.

Në kuadër të “Orës Letrare Anton Pashku”, së pari u shënua 300-Vjetori i Çetës së Profetëve të Imzot Pjetër Bogdanit, për të cilin referoi studiuesi Prend Buzhala, e më pas 15 poetë nga viset etnike shqiptare dhe diaspora u paraqiten me poezitë e tyre.

Në vazhdim u hapen edhe dy ekspozita: Njëra në temën “Fotografia familjare” e studentëve të Etnografisë së Universitetit të Prishtinës dhe tjetra e artistit dhe skulptorit Llesh Biba, nga Tirana - punime në drugdhendje me motive të ndryshme.

Siç është bërë traditë, edhe sivjet në ‘Takimet e Gjeçovit’ u ndan çmimet e zakonshme: Pena e Shtjefën Gjeçovit, Pena e Pjetër Bogdanit, Pena e Anton Pashkut dhe Unaza e Katerina Josipit. Në fund, para të pranishmëve me program të bukur u paraqiten Ansambli Etno-Kulturorë “Katarina Josipi” e Zymit dhe nxënësit e Shkollës Fillore ‘Shtjefën Gjeçovi’ nga fshati Kryezi i Shqipërisë, vend i të parëve të At Shtjefën Gjeçovit.

Mrika-Rabie Ibraj








All the contents on this site are copyrighted ©.