2015-10-12 15:28:00

Zoja që zgjidh nyjet: figurja e Marisë


Mrekullia morale, që ndodhi në familjen gjermane Langenmantel e Imhoff dhe përpjekja e nipit mirënjohës për ta përjetësuar përmes një elteri kushtuar Zojës që zgjidh nyjet, ishte në qendër të vëmendjes në emisionin tonë të kaluar. Në të sotmin është pikërisht ky elter e posaçërisht, piktura e lashtë e Zojës me këtë titull.

Zoja paraqitet në qiell, ndërmjet engjëjve, gati për t’i zgjidhur nyjet  e një kordeleje, që ia zgjat engjëlli në të majtën. Pasi i zgjidh nyjet, Zoja ia dorëzon kordelen një engjëlli tjetër, në të djathtën. Episodi të kujton mrekullinë e ndodhur më 28 shtator 1615, kur nyjet e kordeles martesore u zgjidhën, me ndërmjetësimin e Marisë. Nënvizohet, kështu, rëndësia figures së Marisë, si ndërmjetësuese në jetën e çiftit. Zoja paraqitet sipas përshkrimit në Librin e Zbulesës:

“Në qiell u duk një shenjë e madhërishme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në kokë kezën me dymbëdhejtë yje!  Shtatëzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes”. (Zb. 12,1-2)

Maria, Eva e re ia shtyp kokën gjarpërit, duke përmbushur e duke realizuar kështu, profecinë e bërë për gjarpërin në Librin e Zanafillës: “Fara e saj do të ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh thembrën”(Zan. 3,15). Në pjesën e poshtme vërehet një hollësi interesante: kryeengjëlli Rafael e shoqëron Tobinë në takimin me të shoqen. Historia frymëzohet nga  Besëlidhja e Vjetër, e pikërisht, nga Libri i Tobisë (cfr Tb 5-7), ku tregohet aventura e Tobisë dhe e Sarës, bashkuar me martesë falë ndërmjetësimit hyjnor, që duket përmes pranisë së engjëllit. Figura e Tobisë dhe e engjëllit nënvizon se martesën e deshi dhe e mbështeti, që në zanafillë, vetë Zoti, që dërgon engjëjt e tij për t’i ndihmuar burrin e gruan në udhën e jetës së përbashkët, kur nuk janë më dy, por një njeri i vetëm, që krijon jetë të re. Kjo hollësi të shtyn të përfytyrosh edhe figurën e Wolfgangut që, i shoqëruar nga Engjëlli i Rojës, ecën drejt kuvendit të jezuitëve për të kërkuar ndihmën e Zotit, në një çast kaq të vështirë e të rëndë. Sipas traditës, Wolfgangu pati ndeshur një peshkatar të quajtur “Engel” (engjëll në gjuhën gjermane), që po shkonte në punë të vet, së bashku me qenin e tij. Peshkatari i kishte treguar burrit udhën, që të çonte në kuvend e më pas qe zhdukur pa lënë gjurmë. Për shkak të rolit e të identitetit misterioz, tradita e shikon figurën e këtij peshkatari si engjëll i dërguar nga Zoti.

Figurja e Marisë që zgjidh nyjet, nuk mund të mos të të kujtojë traktatin e Shën Ireneut, ipeshkëv i Lionit (vdekur në vitin 202). Në këtë traktat “Kundër herezive”, Shën Ireneo pohon:

“Nyja e mosbindjes së Evës u zgjidh, falë bindjes së Marisë. Çka Eva e pati lidhur nyje për shkak të mosbesimit të saj, Maria e zgjidhi, për fenë e saj”. (Adv. Haer. 3,22, 4; cfr KKK 494).

Mund të mendohet se piktori u frymëzua pikërisht nga ati i shenjtë i Kishës, edhe pse nuk ka prova, që vërtetojnë lidhjen e drejtpërdrejtë me tekstin patristik.

Hollësia e fundit lidhet me mantelin e Marisë. Një vel blu, shpalosur në erë. Në Shkrimin Shenjt, Shpirti i Zotit  paraqitet shpesh si fllad, si frymë hyjnore ose si erë e vrullshme (cfr Zb. 2,2). Virgjëra Mari, e pranishme në çastin e Rrëshajëve e përplot me Shpirtin Shenjt (cfr KKK 724) paraqitet e mbështjellë  me erën e Shpirtit Shenjt, që simbolizohet edhe nga Pëllumbi në fluturim mbi kokën e Saj. Sipas një interpretimi jo zyrtar, për të pikturuar mantelin, piktori u frymëzua nga llagapi i atyre, që ia kishin porositur pikturën, Langenmantel, që në gjermanisht do të thotë “mantel i gjatë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.