2015-10-12 15:44:00

Sinodi vijon të flasë për të divorcuarit e rimartuar


Vazhdon në Vatikan, Sinodi i Ipeshkvijve për Familjen, i cili ka hyrë tashmë në javën e tij të dytë. Diskutimet e etërve sinodalë synojnë të përfshijnë me 360 gradë problematikat e familjes, por natyrisht vëmendja përqendrohet shpesh në pika kyçe, risi për botën bashkohore. Njëra prej tyre është Kungimi për të divorcuarit e rimartuar.

         Në takimin e sotëm me gazetarët, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ia dha fjalën përgjegjësit të programit gjerman të radios sonë, atë Bernd Hagenkord, i cili e ndihmon gjatë Sinodit. Të shtunën pasdite e sot paradite, sqaroi jezuiti gjerman, “u diskutua për të vërtetën e mëshirën, për të divorcuarit e rimartuar dhe sakramentet”.

         “Disa – theksoi atë Hagenkord – cituan doktrinën për të thënë se Kungimi nuk është i mundur, të tjerë propozuan zgjidhje baritore, ose më saktë, rrugë baritore drejt zgjidhjeve të mundshme… Sipas meje – vazhdoi akoma atë Hagenkord – asembleja mendon njëzëshëm se dy ekstremet – nga njëra anë, të mos bëjmë asgjë e, nga ana tjetër, të ndryshojmë gjithçka – nuk janë opcione për t’u ndjekur”. Qëndrim ky, i konfirmuar edhe nga atë Thomas Rosica, bashkëpunëtori tjetër i atë Federiko Lombardit. “Nuk mund të vazhdojmë të propozojmë kundërvënie si mëkati e mëkatari, sfera publike e sfera private, por duhet të gjejmë rrugë të reja”, tha ai.

         Vetë atë Lombardi ndërhyri për të thënë se nuk ka asnjë lloj ndarjeje ndërmjet mësimeve të Kishës e teologjisë në çështjet e martesës e të sakramenteve, që lidhen me të, por ekziston vetëdija historike e ndryshimeve me karakter disiplinor ose doktrinor, lidhur me këto tema. Pak vetë, saktësoi atë Lombardi, mbajnë qëndrim negativ ndaj Kungimit për të divorcuarit e rimartuar, por gjithsesi, janë për vëmendje më të madhe të Kishës për të gjithë ata, që ndodhen në gjendje të vështira.

         “Relatio finalis”, vijoi më tej zëdhënësi vatikanas, do të paraqitet të shtunën paradite, më 24 tetor, ndërsa pasdite do të votohet. Qarkulloi një hipotezë, sipas së cilës Sinodi do të mbyllej pa këtë dokument, por siç sqaroi atë Lombardi, ai do t’i dorëzohet rregullisht Papës, i cili do të vendosë më pas për botimin e Nxitjes pas-sinodale.  

         Së fundi, atë Federiko Lombardi përmendi një letër me 13 firma kardinajsh të rëndësishëm të Kishës, ku ata i kërkojnë Papës të rishohë disa mënyra të organizimit të Sinodit dhe të mos lejojë dhënien e Kungimit për të divorcuarit e rimartuar. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë i këshilloi gazetarët të verifikojnë firmat nën letrën për Papën Françesku – e cila gjithsesi, duhej të mbetej e rezervuar e jo t’i jepej shtypit – pasi që tani, dy kardinaj, kryeipeshkvi i Milanos, Scola, dhe ai i Parisit, Vingt-Trois, kanë deklaruar se nuk e kanë nënshkruar kurrë letrën.








All the contents on this site are copyrighted ©.