2015-10-12 15:08:00

Sinodi. Versaldi: rruga drejt martesës të përgatitet mirë


Përveç njohjes së pavlefshmërisë së shumë martesave, sipas vijave të përcaktuara nga Motu Proprio e Françeskut, duhen ndihmuar të fejuarit të mos zgjedhin kremtimin e një martese të  pavlerë. E pohon kardinali Giuseppe Versaldi që, në mikrofonin tonë, vë theksin mbi kërkimin nga ana e Etërve sinodalë, të një kumtimi ungjillor që bashkon vërtetësinë me mëshirën.

Përgjigje: - Duke ndjekur këshillat dhe porositë e Papës Françesku, po përpiqemi së bashku të zbulojmë një të vërtetë, që të mund të lëvizë në atë drejtim, për të cilin u thirr Sinodi. E, sipas këtij drejtimi, Ungjilli duhet t’u kumtohet njerëzve të kohëve tona duke pasur mirë parasysh ndryshimin e situatave, por edhe nevojën për një kumt, që sjell dritë, vërtetësi, dhimbsuri e mëshirë. Papa vijon të përsërisë – e nuk mund të mos e shikojmë këtë si thirrje të fortë - se nuk duhet shkuar në njërin nga dy ekstremet: o drejtësi, o mëshirë, por drejtësia e mëshira duhet të shkojnë krah për krah. Nuk jemi parlament, nuk nisemi nga ide të kundërta, por nga një bazë e përbashkët. E ecim të gjithë drejt të njëjtit cak, që është Krishti. Zoti dëshiron të kumtohet e t’i shpëtojë njerëzit e kohëve tona.

Pyetje: - Shprehje e vëmendjes së Papës për familjen, për burrat e gratë e sotme, për çiftet,  që kalojnë vështirësi, ishte edhe Motu Proprio e kohëve të fundit mbi pavlefshmërinë e martesave…

Përgjigje: - Sigurisht. Nëse shpejtohet procesi për pranimin e pavlefshmërisë së martesave, që, për fat të keq, sot janë në rritje, ky shpejtim nuk është i mundur, pa ndryshuar asgjë. Nuk mund të lihet më përgatitja për martesë, ashtu siç ishte, sepse të njëjtat çifte, që pastaj, me shumë vuajtje e mundim, kërkojnë anulimin, u pranuan ndoshta me shumë lehtësi në Sakramentin e martesës. Pa asnjë verifikim e asnjë udhë. E kjo udhë është e nevojshme, jo për t’i përjashtuar, por për t’i përgatitur më mirë, në mënyrë që të mos u ngarkojmë mbi shpatulla barrë, të cilat pastaj nuk mund t’i shkarkojnë aq lehtë. Duhet menduar se dështimi i martesës është gjithnjë përvojë e dhimbshme, edhe nëse arrihet, pastaj, anulimi i saj.

Pyetje: - Atëherë mund të themi se kjo është një këshillë për të parandaluar hapjen e plagëve…

Përgjigje: - Pikërisht! Papa flet për “spitalin fushor”, gjithnjë i hapur, që të mjekojë plagët, por një nënë e mirë përpiqet t’i parandalojë, prej këndej, pranë e pranë me spitalin fushor, duhet të jenë edhe mjetet e edukimit, të formimit. Nëse mungon feja, vështirë  që  ndjeti natyror të përkojë, si mendohej dikur, me ndjetin për të bërë, atë që bën Kisha. Për fat të keq të rinjtë e sotëm nuk e kanë këtë platformë të përbashkët.

Pyetje: - Nga  duhet nisur puna për këtë formim? Ç’duhet pasur së pari parasysh?

Përgjigje: - Që koha e fejesës të mos jetë vetëm përvojë e drejtë emotive për të fejuarit, por një lloj udhe katekumenale, në të cilën Kisha ecën përkrah tyre e jo për t’ua nxirë çastet e bukura të dashurisë, por për të kuptuar çfarë po kërkojnë. Nëse nuk e kanë ndër mend takimin shëlbues   me Krishtin e Kishën, atëherë pse u dashka të pranohen në Sakrament? Është më mirë të mos ngarkohen me këtë barrë, nëse për ta është barrë e jo ndihmë. Kështu, kur gjithçka tjetër është bërë gati, mund të hyhet, pastaj, me gëzim, e jo formalisht, në Kishë, për sakramentin e martesës, i cili ndërkaq është vendimtar, që të rinjtë të mund ta ruajnë pëgjithëjetë dashurinë e tyre. Ashtu si premtohet në  ditën e martesës.








All the contents on this site are copyrighted ©.