2015-10-12 13:50:00

Imzot Zenari: atë Mourad është i lirë e me shëndet të mirë


“Atë Jacques Mourad u lirua të shtunën e dje, rreth orës 14, munda të flas me të për herë të parë. M’u duk i qetë e me shëndet të mirë”. Kështu pohon për Radio Vatikanin nunci apostolik në Siri, imzot Mario Zenari, duke komentuar lirimin e eprorit të manastirit Mar Elian në jugperëndim të Homsit, në Siri. Meshtari siro-katolik, i mirënjohur për kontributin në dialogun ndërfetar ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, u rrëmbye majin e kaluar pikërisht në manastirin, që në gusht, u shkatërrua nga terroristët e Isis-it.

Vështirë që atë Mourad të ketë lajme për atë Dall’Oglio-n

         Atë Mourad i përket së njëjtës bashkësi Mar Musa, në të cilën bën pjesë edhe atë Dall’Oglio, meshtar tjetër i rrëmbyer, që nuk i dihet fati. Prej 12 vjetësh, atë Mourad ka qenë në krye të famullisë vendase siro-katolike e, pavarësisht nga rreziqet, nuk ka dashur kurrë të largohej. Sipas nuncit, vështirë që të ketë ndonjë lajm për atë Dall’Oglio-n, sepse vendi i sekuestrimit nuk është i njëjtë.

Atë Mourad kremtoi meshën e parë pas lirimit

         Dje, atë Mourad kremtoi meshën e tij të parë pas lirimit. Sipas burimeve vendase, duhet të ndodhet në fshatin Zaydal, 5 kilometra nga qyteti i Homsit. Nunci, pasi konfirmon kushtet e mira shëndetësore, deklaron për Radio Vatikanin se ditët e ardhshme, meshtari do të shkojë në Damask, nga ku mund të vendosë t’i bëjë ose jo të njohura detajet e rrëmbimit të tij. Gjithnjë nunci, imzot Zenari, sqaron se ka “detaje me rëndësi të madhe”, por nuk mund të thuhen që tani. 








All the contents on this site are copyrighted ©.