2015-10-11 17:38:00

Françesku: paraja huton e zhgënjen, Jezusi lumturon e shpëton


Feja dhe ngjitja pas pasurive nuk mund të bashkëjetojnë, por nuk ka asnjë pengesë që të mos kapërcehet në jetën e fesë, kur ia beson Jezusit. Papa Françesku e shprehu këtë bindje duke kometuar, në Engjëllin e Tënzot,  Ungjillin e liturgjisë të së dielës e duke përfunduar me një thirrje të re për mbrojtjen e ambientit, në Ditën kushtuar pakësimit të fatkeqësive natyrore.

Është një lojë shikimesh, kapitulli 10 i Ungjillit sipas Markut. Një ndeshje simbolike sysh ndërmjet Jezusit e bashkëbiseduesve të Tij. Papa përdori gjuhën televizive për ta vënë në dukje këtë hollësi e për ta theksuar edhe më shumë reflektimin:

“Ungjilltari inkuadron sytë e Jezusit, vërejti Françesku, duke përshkruar fjalët e thëna e ndjenjat e pathëna, të fshehura, të njërit nga fragmentet më të njohura të këtij Ungjilli në të cilin – pohoi - ka tri skena, të krijuara me tre shikime”.

Jeta e pasosur dhe lumturia

Në skenën e parë djaloshi i pasur vrapon tek Jezusi për t’i kërkuar ç’duhet të bëjë, që të trashëgojë jetën e amshuar, domethënë, lumturinë:

“Jeta e pasosur nuk është vetëm jeta e përtejme, por është jeta e plotë, e përmbushur pa asnjë kufi. Çfarë duhet të bëjmë për ta arritur? Përgjigjja e Jezusit përmbledh urdhërimet e Tënzot, në urdhërimin e dashurisë për të afërmin. Në këtë drejtim djaloshi nuk ka asnjë sjellje të qortueshme; por zbatimi i normave nuk i mjafton, nuk ia plotëson dëshirën për një jetë të përsosur, të lumtur”.

Shikimi plot dashuri

E ja edhe shikimi i parë. “I thellë – e quan Papa – plot me dhimbsuri e  dashuri, që Jezusi ia ngul në sy djaloshit, para se t’i tregojë ç’duhet të bëjë për ta ndjekur: të shesë posaçërisht pasuritë e t’ua japë fitimet të varfërve. Po ky shikim i Jezusit nuk e prek zemrën e të riut, i cili, madje, largohet që aty me fytyrë të ngrysur sepse, kujtoi Françesku, zemra e tij ndahet më dysh, ndërmjet dy zotërinjve: Zotit e parasë, gjë që, shtoi Papa, tregon se feja dhe ngjitja pas pasurive, nuk mund të bashkëjetojnë:

“I riu nuk e la Jezusin ta pushtonte me shikimin plot dashuri, e kështu nuk mundi të ndryshonte. Vetëm duke e pranuar me mirënjohje të përvuajtur  dashurinë e Zotit, mund të çlirohemi nga joshja e idhujve e nga verbëria e shpresave tona të  kota. Paraja, kënaqësia, suksesi të hutojnë, por pastaj edhe të zhgënjejnë: të premtojnë jetën e të sjellin vdekjen. Zoti na kërkon të heqim dorë nga këto pasuri të rreme, për të hyrë në jetën e vërtetë, jetën  e plotë, të mirëfilltë, të ndritshme”.

Shikimi i inkurajimit

Përgjigjja që i jep Jezusi djaloshit, vëren ungjilltari, i huton edhe Apostujt. E pikërisht atyre ua drejton Mësuesi shikimin e dytë e të tretë të skenës së dytë:

“Këtë herë flitet për një shikim të menduar, paralajmërues; ‘Duke i sjellë sytë për rreth, u tha dishepujve: sa e vështirë për ata, që kanë pasuri, të hyjnë në mbretërinë e Zotit!’. Hutimit të dishepujve, që pyesin veten: ‘E kush mund të shpëtojë atëhere?’, Jezusi i përgjigjet me një shikim inkurajimi – është shikimi i tretë – e u thotë: ‘Shëlbimi sigurisht është i pamundur për njerëzit, por jo për Zotin!’. Nëse lëshohemi plotësisht në dorën e Zotit, mund t’i kapërcejmë të gjitha vështirësitë, që na pengojnë ta ndjekim në udhën e fesë”.

Të rinj, do të zgjidhni Jezusin, apo mendësinë e botës?   

Në skenën e tretë nuk ka shikime, por ka një të vërtetë, shpjeguar nga Jezusi: është “qindfishi”, të cilin Ai ia premton kujt lë gjithçka për ta ndjekur, shpjegoi akoma Françesku:

 “Përbëhet nga sendet, që i pate, e pastaj i lë, por që i gjen të shumëfishuara në pafundësi. Çlirohesh nga pasuritë, e merr, si shkëmbim, kënaqësinë e së mirës së vërtetë; çlirohesh nga skllavëria e sendeve, e fiton lirinë e shërbimit për dashuri; heq dorë nga pasja, e fiton  gëzimin e dhuratës”.

E pikërisht ky kujdes e shtyn Françeskun t’u drejtojë një pyetje të drejtpërdrejtë të rinjve, që e dëgjojnë:

“A e keni ndjerë shikimin e Jezusit mbi ju? Ç’përgjigje do t’i jepni? Ju pëlqen ta lini këtë shesh me gëzimin, që jep Jezusi, apo me trishtimin, që të krijon në zemër mendësia e botës?”.

Thirrje për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët

Të shumta, përshëndetjet e Papës, pas përfundimit të Engjëllit të Tënzot drejtuar grupeve të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit. I pari, kushtuar Ditës së sotme ndërkombëtare për pakësimin e fatkeqësive natyrore, gjë që Papa e ka shumë për zemër. Prej këndej, thirrja:

“Për fat të keq duhet pranuar se pasojat e këtyre fatkeqësive rëndohen shpesh për shkak të mungesës së kujdesit të njeriut ndaj ambientit. Bashkohem me të gjithë ata, që angazhohen me largpamësi në mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, për të promovuar kulturën globale e lokale të pakësimit të fatkeqësive natyrore dhe të përballimit të  tyre, duke harmonizuar njohuritë e reja me ato tradicionale e me vëmendje të veçantë ndaj popullsive më të ligshta”.

Ndërmjet tjerëve, Papa përshëndeti edhe diakonët e priftërinjtë e Kolegjit gjermaniko-hungarik, shuguruar dje në Shoqatën ‘Davide Ciavattini” për asistencën e fëmijëve me sëmundje të rënda të gjakut.  








All the contents on this site are copyrighted ©.