2015-10-09 14:38:00

Patriarku Tual: faleminderit Papës, por politika është shurdhe


Të gjithë ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme shprehën mirënjohjen e tyre pas thirrjes së Papës Françesku për paqen, megjithëse mbeten të pakënaqur me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare. Jo më larg se dje, Patriarku i Antiokisë, Ignace Youssif III Younan akuzoi Amerikën dhe Bashkimin Evropian se, për oportunizëm ekonomik, po i harrojnë pakicat e krishtera të persekutuara pikërisht në zonat ku ka lindur feja dhe kultura e krishterë. Sot, ftuam në mikrofonin tonë, Patriarkun e Jeruzalemit të Latinëve, Fuad Tual, ndërsa vazhdojnë vrasjet ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve në terren:

         Jemi shumë mirënjohës për ndërhyrjen e Atit të Shenjtë. Në të vërtetë, unë pata folur me Patriarkët e tjerë katolikë të Lindjes së Mesme, duke i kërkuar Sinodit të bëjë një thirrje, sepse nuk mund të heshtim para ngjarjeve, sidomos para gjendjes në Jeruzalem. Të gjithë i mbajmë mend fjalimet e Atit të Shenjtë, majin e kaluar, lutjen e tij në Murin që ndan Betlehemin nga Jeruzalemi; e kujtojmë shumë mirë qëllimin e tij të mirë kur na mblodhi në Kopshtet e Vatikanit me dy presidentët, atë izraelit e atë palestinez… Por, në fund të fundit, shohim se s’ka pasur asnjë rezultat, sepse mungon krejtësisht vullneti politik. Edhe këtu, në Sinod, synimet tona të mira si barinj të Kishës do të mbeten synime, nëse politika nuk na ndihmon konkretisht. Sepse nuk mjafton ta studiojmë situatën, duhet të gjejmë zgjidhjen. E nuk do të arrijmë në ndonjë zgjidhje apo rezultat, pa politikën, madje, pa politikën e mirë, të ekuilibruar, të drejtë, të qetë. Unë e ndjej veten pak si të kufizuar – për të mos thënë “të poshtëruar” – tani që do të kthehem në Jeruzalem, ku do të më pyesin: “E çfarë bëtë?”. Përgjigjja do të jetë: “Bëmë ç’është e mundur”. Por, meqë nuk kemi bashkëpunim të drejtpërdrejtë nga ana e politikës dhe e politikanëve, mbetemi pak si për hava…

         E keni fjalën për politikën ndërkombëtare, apo jo?

         Sigurisht, për politikën ndërkombëtare, por, flas veçanërisht për politikën amerikane dhe izraelite: është e kotë ta mohoj. Para një muaji patëm një konferencë ndërkombëtare në Paris për të folur mbi refugjatët, ekstremizmin, dhunën e terrorizmin. Ishim 60 vende, përfshirë Selinë e Shenjtë, por, për habinë time të madhe, mungonin SHBA-të dhe Izraeli…

         Politika pra, e bën veshin shurdh e nuk i dëgjon thirrjet tuaja…

         Më tepër se shurdh, ne nuk hyjmë fare në agjendën e saj: ne, si Kishë, ne, si bashkësi e krishterë… Prania ose mungesa jonë nuk i thotë asgjë kësaj bashkësie ndërkombëtare pa etikë. Nuk na merr si duhet në konsideratë.

         Në Izrael, në Jeruzalem, orët e fundit është rritur tensioni. Si e përjetojnë këtë gjendje të krishterët e familjet e tyre?

         E përjetojnë shumë, shumë keq, së paku, që prej një muaji, kur filluan të ndërtojnë murin e Kremizanit në territoret e krishtera… një mur që s’mbron askënd. Fakti që gjithë këto vrasje e dhunë ndodhën brenda murit e jo jashtë tij, tregon qartë se është e kotë të pretendohet se na mbron. Asnjë mur nuk mbron kënd. Ekziston ligji, ekziston respekti i ndërsjellë: nëse respektojmë dinjitetin e secilit, kemi paqe, përndryshe është e kotë përpjekja për ta vendosur paqen me forcë…








All the contents on this site are copyrighted ©.